Kalo te përmbajtja

Lajme të shpejta, të verifikuara dhe të paanshme

Lajm i fundit
Politikë

Spajiç ngre dyshime për ndikimin e Beogradit në Mal të Zi

Spajiç ngre dyshime për ndikimin e Beogradit në Mal të Zi
Foto: shqiptarja.com

Përpjekjet për destabilizimin e Malit të Zi

Dy muaj pas paralajmërimit se Mali i Zi mund të bëhej objektiv i një operacioni të koordinuar nga jashtë, kryeministri Milojko Spajiç ka shprehur dyshime për ndikim politik të Beogradit përmes mediave malazeze. Partia e tij kërkon një hetim parlamentar për të përcaktuar nëse kompanitë serbe M-tel dhe grupi financiar Alta kanë përdorur lidhjet me televizionet malazeze për të ndikuar në mbulimin e tyre, në opinionin publik dhe në politikën e vendit.

“Zhvillimet e tanishme në vend dhe në rajon vërtetojnë seriozitetin dhe cilësinë e informacioneve që kanë shërbimet tona dhe ato të sigurisë partnere, për të cilat kam paralajmëruar në fund të gushtit”, shkroi kryeministri malazez të dielën në rrjetin X.

Ai i ka bërë thirrje institucioneve të zbulojnë kush ka mbrojtur interesat e Malit të Zi dhe kush, sipas tij, ka mbështetur qendra pushteti në vende të tjera, duke përdorur mjete të paligjshme për të kërcënuar stabilitetin e vendit dhe për të penguar rrugën drejt Bashkimit Evropian.

Në këtë kontekst, partia e Spajiçit, Lëvizja Evropa Tani (PES), i ka kërkuar parlamentit të hetojë në mënyrë specifike marrëdhëniet financiare, të pronësisë dhe tregtare ndërmjet televizioneve me mbulim kombëtar dhe kompanive M-tel, Alta Bank dhe Alta Pay Group.

M-tel dhe grupi Alta

M-tel operon në Mal të Zi që nga viti 2007 dhe ofron shërbime telefonie, interneti dhe televizioni. Kompania është pjesë e Telekom Srbija, ku shteti serb zotëron 58.11% të aksioneve.

Kompania tjetër që kërkohet të hetohet është grupi Alta, i lidhur me biznesmenin serb Davor Macura. Më 14 tetor, Macurës iu mohua hyrja në Mal të Zi, pasi arriti në aeroportin e Podgoricës.

Më 30 tetor, Banka Kombëtare e Serbisë i hoqi licencën Alta Bank, për shkak të përkeqësimit të gjendjes financiare dhe të rrezikut për likuiditetin. Administrimi i bankës iu kalua Agjencisë për Sigurimin e Depozitave.

Pas këtij vendimi, Banka Qendrore e Malit të Zi sqaroi se Alta Bank nuk ka licencë për të ushtruar veprimtari bankare në vend dhe se masa e marrë në Serbi nuk rrezikon sistemin bankar malazez. Në Podgoricë operon Alta Pay Group, një kompani e licencuar që nga janari 2024 për shërbime pagesash dhe transferimesh parash. Ajo nuk është bankë dhe nuk pranon depozita. Autoritetet malazeze po verifikojnë nëse kompania vazhdon të plotësojë kërkesat ligjore për ushtrimin e veprimtarisë.

Paralajmërimi i Spajiçit dhe reagimi nga Tirana

Këto zhvillime vijnë pas paralajmërimit që Spajiç bëri më 27 gusht, kur deklaroi se shërbimet e sigurisë kishin informacione për një operacion të mundshëm të koordinuar kundër Malit të Zi. Sipas tij, në të mund të përfshiheshin zyrtarë të të paktën dy vendeve të rajonit, si dhe aktorë politikë e mediatikë brenda vendit, me qëllim destabilizimin dhe pengimin e procesit të anëtarësimit në Bashkimin Evropian.

Atëherë, gazeta “Vijesti”, duke iu referuar burimeve anonime, raportoi se përveç Serbisë, në këtë veprim ishte përfshirë edhe Shqipëria. Pretendimi shkaktoi një valë reagimesh edhe në Tiranë.

Kryeministri Edi Rama kërkoi sqarime nga Podgorica, ku iu komunikua se Shqipëria nuk ishte një prej vendeve ku i referohej Spajiç. Sot, dy muaj më vonë, kërkesa për hetimin e lidhjeve të mediave malazeze me kompanitë serbe e bën më të qartë se dyshimet për ndërhyrje të huaj, për të cilat paralajmëroi Spajiç në gusht, lidhen me ndikimin e mundshëm politik të Beogradit në Mal të Zi.

Burimi: shqiptarja.com

Të fundit Të gjitha