Kalo te përmbajtja

Lajme të shpejta, të verifikuara dhe të paanshme

Lajm i fundit
Politikë

PD paralajmëron rritje të barrës tatimore, Braçe: Nuk është e vërtetë

PD paralajmëron rritje të barrës tatimore, Braçe: Nuk është e vërtetë
Foto: shqiptarja.com

Braçe: biznesi i vogël nuk do të paguajë 21% TVSH

Sqarimi i deputetit Erion Braçe

Deputeti socialist Erion Braçe ka kundërshtuar pretendimet se bizneset e vogla do të paguajnë 21% TVSH me ndryshimet e parashikuara në Paketën Fiskale 2027. Në një postim në rrjetet sociale këtë të diel, ai ka theksuar se bizneset me xhiro deri në 5 milionë lekë përjashtohen nga detyrimi për t’u regjistruar në regjimin e TVSH-së, ndërsa tatimi mbi fitimin për bizneset e vogla dhe profesionistët e lirë do të mbetet zero deri në vitin 2029.

Qëndrimi i Braçes vjen në të njëjtën ditë kur deputetja e Partisë Demokratike, Jorida Tabaku, kritikoi uljen e pragut të TVSH-së në 5 milionë lekë dhe propozimin për normën standarde prej 21%. Ajo paralajmëroi se këto ndryshime do të rrisin presionin mbi bizneset e vogla dhe profesionistët e lirë.

“Jo, biznesi i vogël nuk do të paguajë Tatimin mbi Vlerën e Shtuar; as 21%!” shkruan Braçe, duke renditur pesë sqarime mbi mënyrën se si do të zbatohet TVSH-ja.

Pesë pikat e postimit

Postimi i plotë i Erion Braçes:

“Jo, biznesi i vogël nuk do të paguajë Tatimin mbi Vlerën e Shtuar; as 21%! Ua themi qytetarëve dhe biznesit të vogël të vërtetën:

  • Nuk është e vërtetë që biznesi i vogël me xhiro deri në 5 milionë lekë do të paguajë 21% TVSH. E vërteta është që ky biznes përjashtohet nga detyrimi për t’u regjistruar në regjimin e TVSH-së.
  • Nuk është e vërtetë që biznesi i vogël me xhiro nga 5 deri në 10 milionë lekë do të paguajë 21% TVSH. E vërteta është që ky biznes do të regjistrohet në regjimin e TVSH-së, ashtu si biznesi i vogël me xhiro 10–14 milionë lekë, i cili tashmë funksionon aty: punon, prodhon, tregton, arkëton dhe fiton të ardhura, pa qenë i sulmuar, i pakontrolluar apo i falimentuar.
  • Nuk është e vërtetë që TVSH-ja është tatim mbi biznesin. E vërteta është që TVSH-ja është tatim konsumi, një tatim mbi konsumatorin. Unë e paguaj atë kur blej çdo mall apo shërbim, tani edhe te biznesi i vogël. Biznesi vepron si agjent i shtetit, e mbledh nga unë dhe e derdh në buxhetin e shtetit. Pra, e paguaj unë, jo biznesi, as biznesi i vogël.
  • Nuk është e vërtetë që 17 mijë biznese të vogla po sulmohen duke i regjistruar në regjimin e TVSH-së. E vërteta është që për to vlen e njëjta logjikë: TVSH-në e paguan konsumatori, jo biznesi. Ka edhe një fakt tjetër: shumica e këtyre bizneseve merren me shërbime, tregti dhe, mbi të gjitha, ushqime. Shumica e produkteve të tyre nga 1 janari kanë një TVSH të ulur nga 20% në 6%, që mbështet konsumin, konsumatorin dhe xhiron e këtyre bizneseve.
  • Nuk është e vërtetë që profesionistët e lirë do të paguajnë 21% TVSH, as që vetëm ata përbëjnë shtresën e mesme në këtë vend. E vërteta është që edhe për ta, TVSH-në do ta paguajë marrësi i shërbimeve ose mallrave të tyre, me faturë, si gjithkush tjetër. I vetmi tatim që, si rregull, duhet të paguajë biznesi i vogël dhe profesionistët e lirë është tatimi mbi të ardhurat, pra tatimi mbi fitimin. Ky tatim ka qenë, është dhe do të jetë deri në 2029, zero për qind, zero lekë!” thotë Braçe.

Burimi: shqiptarja.com

Të fundit Të gjitha