Edhe pse licenca i është hequr në qershor të këtij viti për shkelje të konstatuara gjatë përplasjes me protestuesit në Zvërnec, kompania private e sigurisë “Myrto Security” figuron si pjesë e një bashkimi operatorësh që ka fituar një tender publik me vlerë rreth 2 milionë euro. Procedurën e zhvilloi Drejtoria Rajonale e Operatorit të Sistemit të Shpërndarjes (OSSH) në Elbasan. Pak ditë më parë, institucioni njoftoi lidhjen e kontratës me bashkimin e kompanive “Juer Security” dhe “Myrto Security”, për mbrojtjen fizike të ndërtesave, aseteve, personelit dhe pronave të OSSH-së dhe të Furnizuesit të Shërbimit Universal në këtë qytet.
Procedura u shpall në gusht 2026, me fond limit 184.735.036 lekë të reja, ose rreth 1.99 milionë euro. Një nga kushtet kryesore për pjesëmarrjen në garë ishte që operatorët të kishin licencën e tipit 1.3 A, dokumentin që u jep kompanive private të sigurisë të drejtën të ofrojnë shërbime mbrojtjeje fizike për objekte, institucione dhe individë. Rasti ngre pyetje mbi pjesëmarrjen e “Myrto Security” në këtë procedurë, pasi vetëm disa muaj më parë Policia e Shtetit kishte vendosur heqjen e licencës së kompanisë, pas ngjarjeve të rënda të regjistruara në Zvërnec. Kompania ka arritur të sigurojë në gjykatë një masë sigurimi padie lidhur me heqjen e licencës dhe, sipas të dhënave të tenderit, ka vazhduar të marrë pjesë në procedurat publike.
Çfarë ndodhi në Zvërnec?
Më 30 maj 2026, një grup qytetarësh nga Vlora protestoi kundër projektit turistik në zonën e Zvërnecit, ku përfshihet edhe Jared Kushner, dhëndri i presidentit amerikan Donald Trump. Protestuesit kundërshtonin kufizimin e aksesit në bregdet dhe parashtronin pretendime lidhur me pronësinë e tokës ku parashikohej ndërtimi i resortit. Në zonën e rrethuar me tela, përballë qytetarëve ishin vendosur punonjës të kompanive private të sigurisë “Major Security” dhe “Myrto Security”, të kontraktuara nga sipërmarrësi i projektit. Përplasja mes protestuesve dhe punonjësve të sigurisë arriti kulmin kur qytetari Eduard Subashi u tërhoq me forcë dhe u zvarrit për më shumë se 100 metra. Ngjarja shkaktoi reagime të forta dhe u bë një nga episodet që nxitën protestat e njohura si “Revolucioni i Flamingove”.
Një ditë më vonë, më 1 qershor 2026, Policia e Shtetit njoftoi heqjen e licencave të të dyja kompanive, pas përfundimit të hetimeve administrative. Sipas policisë, “Myrto Security 1.3A” nuk kishte marrë masat e nevojshme për garantimin e sigurisë së objektit dhe nuk kishte zbatuar rregullat për kontrollin e hyrjeve e daljeve. Në njoftimin zyrtar thuhej se kompania nuk administronte listat e personave dhe automjeteve që lejoheshin të hynin në zonën e rrethuar. Policia vuri në dukje gjithashtu se, për shkak të këtyre mangësive, më 30 maj kishin hyrë në objekt persona të paidentifikuar nga personeli i sigurisë. Sipas versionit zyrtar, këta persona kishin ndërhyrë gjatë protestës, kishin goditur dhe tërhequr me forcë një qytetar, duke i shkaktuar dëmtime trupore, dhe kishin hedhur gurë e sende të tjera drejt protestuesve. Sipas policisë, punonjësit e kompanisë nuk kishin ndërmarrë veprime për parandalimin e dhunës apo largimin e personave të përfshirë.
Në përfundim të verifikimeve administrative, Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit nënshkroi më 1 qershor vendimin për heqjen e licencës 1.3 A për “Myrto Security”, si dhe të licencës për kompaninë tjetër, “Major Security”. Megjithatë,
Burimi: www.balkanweb.com










