Pasi e bëri publike se kishte qenë viktimë e një sulmi seksual, Andy Carroll tregoi se kishte marrë shumë mesazhe mbështetjeje, ndërsa disa futbollistë të tjerë i kishin treguar përvoja të ngjashme.
Ish-sulmuesi i kombëtares angleze e trajtoi sërish këtë temë në podcastin “Football Uncensored”, disa javë pasi e kishte përshkruar ngjarjen e vitit 2021 në autobiografinë e tij “Owning It”. Në fillim, Carroll nuk e tregoi identitetin e personit të përfshirë, por më vonë konfirmoi se bëhej fjalë për Kevin Adams, një mësues i njohur i kërcimit dhe koreograf.
“Disa persona që i njoh mirë më kanë thënë: ‘Edhe më ka ndodhur diçka e ngjashme’. Madje edhe nga bota e futbollit. Futbollistë shumë të njohur më kanë telefonuar për të më falënderuar”, tha ish-lojtari i Newcastle, West Ham dhe Bordeaux, i cili pas rrëfimit mori qindra mesazhe. “Ka gjëra që nuk mund t’i lësh plotësisht pas shpine, por tani njerëzit mund të shohin kush isha në atë periudhë dhe çfarë kam kaluar. Po më ndihmojnë dhe po më mbështesin”.
I 37-vjeçari theksoi rëndësinë e mbështetjes nga partnerja, familja, miqtë dhe publiku: “Jam i lumtur me personin që jam dhe me mënyrën se si e kam përballuar këtë situatë”.
Burimi: telesport.al










