Avokati mbrojtës i Erion Veliajt, Plarent Ndreca, konfirmon për Gazeta Shqiptare se të premtën në mbrëmje, më 30 tetor, ministri i Drejtësisë, Toni Gogu, ka bërë një vizitë urgjente në burgun e Fierit. Kjo vizitë nuk figuron e regjistruar në fletoren e burgut. Thuhet gjithashtu se Gogu ishte veshur me rroba sportive dhe mbante një kapele në kokë atë mbrëmje, kur mbërriti në ambientet e burgut.
Biseda në dhomën e izolimit
Gjatë një bisede mes tyre, në dhomën e izolimit të Veliajt, ministri i Drejtësisë i ka përcjellë porosinë dhe kërcënimet e kryeministrit Edi Rama.
Gogu i ka thënë Veliajt se kishte disa gjëra që ishte i detyruar t’ia përcillte.
“Jam këtu me porosi nga KM. Dua t’ia përcjell tekstualisht atë që KM më ka porositur:
‘Është hera e fundit që po të drejtohem si babai yt politik. Nga sot e tutje do të drejtohem vetëm si kryeministër.
-Dorëzo mandatin urgjentisht.
-Delego pushtetin te emrat që do të them unë.
-Hiq dorë nga avokati Plarent Ndreca.
Përndryshe, do të transferoj te burgu 302 dhe do t’i kërkoj SPAK-ut të nisë hetime për minim të rendit kushtetues, dhe do të të fus në burg’.”
Ndërkohë, mësohet se Veliaj iu përgjigj menjëherë ministrit të Drejtësisë: “Edhe sikur të më dënojnë me 100 vite burg, nuk ia marr fytyrën fëmijëve të mi.”
Pasojat dhe reagimet
Ngjarja u zhvillua brenda pak minutash. Vetëm këtë mëngjes, Veliaj ka mundur të kontaktojë avokatin e tij, Plarent Ndreca, dhe t’i ndajë detajet e vizitës. Sipas pretendimeve të bëra, ngjarja ngre pikëpyetje jo vetëm për rolin e ministrit të Drejtësisë, i cili akuzohet se ka përcjellë mesazhin, por edhe për përfshirjen e kryeministrit Edi Rama. Ndaj tij ngrihen akuza për përdorimin e emrit të SPAK-ut në kontekstin e presioneve ndaj kryebashkiakut, i cili mbahet pas hekurave që nga data 10 shkurt 2025.
Burimi: gazetashqiptare.al










