Kalo te përmbajtja

Lajme të shpejta, të verifikuara dhe të paanshme

Lajm i fundit
Politikë

Protesta e Berishës dështon, Kikia flet për luftë të ftohtë brenda opozitës

Muajt e protestave kanë zbuluar një “luftë të ftohtë” mes protestuesve dhe opozitës, sipas analistit Mentor Kikia.

“Mendoj se ekziston një luftë e ftohtë brenda protestuesve, mes të gjithë aktorëve opozitarë, për të përcaktuar se kush përfaqëson opozitën e vërtetë politike”, deklaroi ai në Report TV.

Kjo situatë duket se sfidon Partinë Demokratike e cila edhe një ditë më parë u përpoq t’u bashkohej protestuesve, të cilët e refuzuan. Më pas, ajo luajti kartën e përçarjes së sajuar nga kryeministri Edi Rama dhe Arlind Qori, duke vazhduar të pohojë se qëndron pranë protestuesve.

Qëllimi i përbashkët dhe rruga drejt ndryshimit

Megjithatë, vijon pedagogu, pavarësisht ndarjeve brenda protestës, objektivi i përbashkët mbetet rrëzimi i qeverisë. Ky objektiv nuk arrihet as përmes përleshjeve, as me dhunë e as me dalje në rrugë, vijon Kikia, por vetëm përmes votës.

“PD nuk duhet ta humbasë vendin e parë dhe herë pas here përpiqet të kthehet në sheshin e protestës herë si mbështetëse, herë si faktor, siç ndodhi dje, për të treguar se e ka vendin e saj në fushën e betejës dhe nuk mund të mungojë pa qenë pjesë e kësaj sfide. Nëse ekziston një kauzë madhore që i bashkon të gjithë, ajo është largimi i qeverisë. Këto lloj protagonizmash janë të pavend dhe, mbi të gjitha, janë të dëmshëm. Në protestë, në shesh, në bulevard, në rrugë nuk zgjidhet qeveria. Qeveria zgjidhet vetëm dhe vetëm me votë. Kryeministri i ardhshëm nuk përcaktohet në bulevard, në rrugë, në përleshje edhe në aktet e dhunës, nëse duam, por kryeministri do të përcaktohet vetëm në votë. Mund të dalin sa të duan protestues PD, Arlindi, Shehaj, askush nuk do të certifikohet si udhëheqësi i ardhshëm në protestë, do të certifikohet vetëm në kutitë e votimit. Popullit duhet t’i sigurohet një ligj që garanton zgjedhje të lira e të drejta”, thotë Kikia.

Frika e PD-së dhe skenari serb

Frika e PD-së, thotë Kikia, është përsëritja e një skenari serb në Shqipëri, pasi selia blu deri në këtë moment ndihet e mënjanuar, por i tremben shkrirjes së opozitës klasike.

“Opozitarizmi qytetar është më i madh sesa opozitarizmi politik. Partia Demokratike e pa veten disi jashtë këtij uragani kryengritës apo reagues. PD ishte në mesin e një serie protestash dhe kur u futën në skenë qytetarët me simbolin e flamingos, u bë mënjanë. PD që ishte edhe protagoniste e molotovëve, e pa veten edhe më jashtë. Këtu lindi një frikë, edhe prej zgjedhjeve në Serbi kur një listë e studentëve e shkriu totalisht opozitën klasike serbe që aktualisht nuk ka asnjë mandat në parlament, në opozitën politike partiake shqiptare, që përfaqësohet kryesisht nga Partia Demokratike, lindi frika e një përjashtimi tërësor nëse do të përsëritej apo do të replikohej në Shqipëri një skenar serb”, shprehet Kikia.

Analisti merr në konsideratë edhe hipotezën që PD të mos bëhej pjesë e protestës, por janë partitë e vogla të opozitës që tregojnë ndikimin politik në këto tubime.

“Edhe nëse Partia Demokratike nuk do të shkojë as në nivel drejtues, as në nivel mbështetësish, sërish ajo nuk është një protestë tërësisht jopolitike, pra jopartiake, sepse partitë e reja janë aty në mënyrë agresive të prezantuara. Arlind Qori është një pjesëmarrje demonstrative që përpiqet ta orientojë e drejtojë. Ajo nuk është një protestë politikisht e virgjër”, përfundon Kikia.

Burimi: shqiptarja.com

Të fundit Të gjitha