Kalo te përmbajtja

Lajme të shpejta, të verifikuara dhe të paanshme

Lajm i fundit
Politikë

Studentët refuzojnë deputetët e PD në protestë, Berisha reagon ashpër

“Një grup i vogël ekstremistësh të majtë nuk mund t’i imponojë kurrë Partisë Demokratike asnjë qëndrim ndaj revoltës studentore dhe protestave në përgjithësi”. Ky ishte qëndrimi i liderit të opozitës, Sali Berisha, gjatë një bisede me qytetarët në rrjetet sociale, kur u pyet për aksionin opozitar dhe për opozitën e opozitës që i shërben Ramës.

Pjesë nga biseda

Vis Bejleri: Doktor, pse nuk thërret Partia Demokratike protesta? Pse duhet ta kthejmë protestën në luftë me Arlindat dhe Agronat? Pse nuk dalin demokratët me flamur dhe kërkesa politike me ofertë qeverisëse? Nuk na bashkon asgjë me komunistët dhe mashtruesit politikë. Pse duhet demokratët të bëhen pjesë e makinacioneve të Edi Ramës? Ne nuk kishim turp nga flamuri i Partisë Demokratike kur kishim gjithë botën kundra.

Sali Berisha: Ne jemi dhe do jemi përjetë krenarë me këtë flamur, i dashur z. Bejleri. Të garantoj që qëndrimi ynë vazhdimisht ka qenë protesta dhe në protestë.

Por Partia Demokratike është forcë politike, e cila detyrimisht bën vlerësimin e situatës dhe analizën politike. Duhet të pranojmë realitetin se në fundin e majit dhe qershorin e këtij viti, në Shqipëri shpërtheu protesta më madhështore qytetare në historinë e saj. Protestë, e cila ngriti peshë zemrat e mbarë shqiptarëve, e vërteta është edhe të majtë, edhe të djathtë, edhe të paparti.

Në këtë protestë dolën me kërkesa, të cilat kishin qenë secila pa asnjë përjashtim, kërkesat e Partisë Demokratike. Pa përjashtim të gjashta kërkesat. I kishte mbrojtur për vite të tëra me protesta, në parlament dhe kudo.

Tani, në kulmin e saj kjo protestë, shumica besonin se do rrëzonte qeverinë.

Z. Bejleri, në qoftë se kjo do ndodhte, ju garantoj se njeriu dhe partia që do përshëndeste me gjithë zemër këtë e para do ishte Partia Demokratike, e cila çdo ditë ishte e pranishme në protestë pa simbolet e saj.

Pse kjo? Sepse një protestë me simbolet e Partisë Demokratike do të përçante këtë protestë të madhe. Dhe ne kurrë nuk e merrnim përsipër atë.

Së dyti, ne jemi patriotë që kemi Shqipërinë të parën dhe jo partinë të parën. Ne kemi Shqipërinë të parën, dhe në rast se protesta madhështore e qershorit do të arrinte të përmbyste narkodiktaturën, ishte shërbimi më i madh që i bëhej Shqipërisë dhe për të cilin Partia Demokratike lufton dhe do luftojë.

Pra, ne nuk mund të merrnim përsipër të përçanim një protestë, e cila duhet ta pranojmë se fitoi mbështetjen më të madhe që mund të ketë pasur ndonjëherë një protestë në këtë vend.

Mirëpo ajo protestë, për një sërë shkaqesh që s’është momenti tani, me gjithë mbështetjen tonë dhe vendimin tonë, së pari për të mos e përçarë, së dyti për të marrë pjesë sa më shumë në protestë, së treti duke ftuar një bashkëpunim sa më të gjerë, ajo protestë me gjithë kulmet e saj të papërsëritshme, kreativitetin e jashtëzakonshëm të dekorit dhe skenarit të saj, për fat të keq u tradhtua nga Jago dhe besëprerë të cilëve historia s’do t’ua falë kurrë.

Opozita e opozitës dhe protesta studentore

Një ndër këta ishte opozita e opozitës. Që mendoi se tani do bëhej opozita e madhe duke harruar se aty ishte një popull në këmbë, dhe u hodhën sloganet, u krahasua Partia Demokratike, lokomotiva e vërtetë e të gjitha protestave dhe opozitarizmit në Shqipëri, lokomotiva e betejës kundër narkoshtetit dhe narkodiktaturës, e dokumentuar me qindra e qindra akte e dokumente, u krahasua me Partinë Socialiste dhe u bë lajtmotiv pikërisht për ta dështuar protestën. Çka s’ishte fare në kërkesat e përfaqësuesve.

Slogani i ekstremistëve të majtë dhe sorosianëve që s’ia falim kurrë Sali Berishës, ‘Rama ik, Berisha ik’ ose ‘opozitë e shitur’, slogane që kishin si qëllim bllokimin e popullit opozitar për të marrë pjesë në protestë, pra faktikisht ata nuk kishin qëllim rrëzimin e qeverisë, ishin Jagot më të ndyrë në politikën shqiptare në 35 vite. Sa Lulzim Brava e ndonjë tjetër. Pse e them këtë? E them këtë unë, sepse në fund si përfunduan? Merrni intervistën e Qorrit të Ramës tek Neës24 ku thotë se ne protestojmë dhe Rama na dëgjon dhe korrigjon gabimet.

Faktikisht pra, ai ishte një hipokrit i poshtër që mashtronte, gjoja kërkonte largimin e Ramës në një kohë kur ai kërkonte korrigjimin e tij sepse mbahet me miliona të destinuara për taksapaguesit shqiptarë, por në mënyrat më të paligjshme i kalojnë në kontot e tij e bëhen siç bëhen me to. Po, kjo është e vërteta.

Megjithatë, urrejtja ndaj Edi Ramës dhe regjimit shpërtheu në mënyrën më të fuqishme në protestën studentore.

Këtu z. Bejleri do më lejoni t’ju sqaroj: Protesta studentore e datës 13 tetor 2026 është thirrur nga sindikata e universitetit, për kërkesa që i kishte drejtuar shumë kohë më parë Ministrisë së Arsimit.

Strukturat tona të forumit rinor në universitete dhe gjimnaze qenë ndër më të parat që iu përgjigjën, por jo të vetmet. Me datën 13, pjesa dërmuese e pjesëmarrësve në atë protestë ishin studentë, gjimnazistë, apo anëtarë të degëve të Partisë Demokratike për Tiranën. Edi Rama përdori dhunën më të egër.

Të pranishëm më 13 kishte dhe plot të tjerë pa asnjë lidhje me Partinë Demokratike. Pra, ishin studentë pa parti, ishin të rinj jashtë universitetit e të tjerë.

Edi Rama ushtroi dhunën më të egër ndaj tyre. Dhe kjo bëri që strukturat, në bashkëpunim me të tjerë, të thërrasin më 14 protestën, dhe dua t’u them dhe njëherë, t’ua përsëris atyre që s’u pëlqen se më 14 ato kanë qenë jashtëzakonisht aktive në organizim dhe në bojkote në universitete dhe gjimnaze, sikundër degët e Partisë Demokratike në të gjitha rrethet.

Pra, në këto kushte, ne shpallëm se Partia Demokratike mbështet fuqimisht protestën studentore. Dhe mbron studentët.

Besoj, keni konstatuar, se çdo ditë në protestë ka patur qindra e qindra demokratë, dhe çdo të shtunë protestë kombëtare ka patur mijëra e mijëra prej tyre.

Tani, ato incidente, ata nuk janë përfaqësues të protestës. Ata janë përfaqësues të zgjatimeve të protestës dhe unë po të doni ju, i kam këtu emër për emër po nuk ia vlen t’u tregoj se çfarë përfaqësojnë ata. Se janë gjithsej katër pesë mashtrues, ordinerë. Njëri thoshte Brava kryeministër, tjetri thoshte Rama është më i mirë se Berisha, çfarë tregonte se kishte dalë me mbrojtur Ramën në protestë.

Ndërsa, ekstremistët e majtë që parakalonin si falanga në rrugët e Tiranës me grusht përpjetë duke besuar se do mund t’u rikthenin shqiptarëve kohërat më të zeza, ata marrin dhe do marrin përgjigjen e merituar.

Garantoj se Partia Demokratike fton dhe do ftojë në bashkëpunim çdo forcë politike e shoqëri, e cila është për largimin e Edi Ramës. Por Partinë Demokratike, nënën e protestave në Shqipëri, nuk ka horr, nuk ka bandit, nuk ka kriminel që mund ta pengojë në protestën kundër narkodiktatorit Edi Rama dhe organizatës së tij kriminale.

Partia Demokratike nuk ka deklaruar kurrë se protestën e studentëve e udhëheq ajo, se në mënyrë absolute nuk e udhëheq. Ajo është në këtë protestë që minutën e parë, që në orën e parë me strukturat e saj në universitete dhe gjimnaze dhe ajo del në respekt të plotë të pluralitetit të studentëve, të cilët nuk janë strukturat tona, janë strukturat e partive të tjera, apo s’janë fare në struktura partish.

Del në mbështetje të plotë të tyre, pikërisht duke respektuar pluralitetin e kësaj proteste.

Besoj se ua sqarova, po t’u them një gjë, dy-tre provokatorë të ulët, që i kemi me emër dhe mbiemër, të paguar, apo një grup i vogël ekstremistësh të majtë, nuk mundet kurrë t’i diktojnë Partisë Demokratike asnjë lloj qëndrimi dhe ndryshimi ndaj revoltës studentore dhe ndaj protestave në tërësi.

Burimi: gazetashqiptare.al

Të fundit Të gjitha