Kalo te përmbajtja

Lajme të shpejta, të verifikuara dhe të paanshme

Lajm i fundit
Kulturë

50 vite nga monumenti i gazetarisë amerikane i përkthyer në frëngjisht

PARIS, 1 nëntor /ATSH-AFP/ – Pesëdhjetë vjet pas botimit të tij në Shtetet e Bashkuara, një biografi madhështore për planifikuesin urban Robert Moses, i cili dha formë Nju Jorkut, po përkthehet dhe botohet në frëngjisht. Ky është një hap i guximshëm botues që nderon gazetarinë investiguese amerikane.

Botimi francez i “The Power Broker”

Shtëpia botuese pariziene “Le Cherche-Midi” ka vendosur ta mbajë titullin origjinal në anglisht, “The Power Broker”, për këtë biografi që gazetari Robert A. Caro e shkroi me punë shtatëvjeçare përpara se ta botonte në vitin 1974.

Libri ka afro 1 300 faqe dhe peshon pothuajse dy kilogramë. Fitues i çmimit prestigjioz “Pulitzer”, ai konsiderohet një klasik i letërsisë amerikane që ripërcaktoi zhanrin e letërsisë jofiktive, thekson botuesi.

I botuar për herë të parë në një gjuhë tjetër përveç anglishtes, “The Power Broker” del me një tirazh prej 7 000 kopjesh, një numër i konsiderueshëm për një biografi kaq ambicioze.

Robert Moses dhe ndikimi i tij në Nju Jork

Robert Caro, i frymëzuar nga Homeri, rrëfen jetën e Robert Moses, i cili midis viteve 1930 dhe 1970 riformësoi zonën metropolitane të Nju Jorkut duke ndërtuar autostrada dhe duke shembur lagje të tëra për të hapur rrugë për projekte të mëdha të pasurive të paluajtshme.

Ndonjëherë i krahasuar me Baron Haussmann, i cili ndryshoi fytyrën e Parisit në shekullin XIX, “Moses ndërtoi një perandori dhe jetoi si një perandor”, sipas autorit.

“The Power Broker” është para së gjithash një biografi e pushtetit, përmbledh shkrimtari Daniel Mendelsohn në parathënien e librit.

Ai gjurmon me detaje të përpikta se si Moses mësoi ku dhe si ta merrte pushtetin dhe, pothuajse në mënyrë të pashmangshme, se si një pushtet i tillë do ta korruptonte atë në fund.

Ish-presidenti i SHBA-së Barack Obama ka pranuar se ishte “i magjepsur” kur e lexoi këtë libër në moshën 22 vjeç, një libër që “formësoi të gjithë vizionin e tij për politikën”.

Tani në moshën 90-vjeçare, Robert Caro po përfundon një biografi shumëvëllimëshe të ish-Presidentit të SHBA-së, Lyndon Johnson./ a.jor.

Burimi: ata.gov.al

Të fundit Të gjitha