A mund të jetë ky momenti i kthesës për Milanin?
A mund të besojnë tifozët kuqezi se skuadra e tyre e zemrës, e cila i ka zhgënjyer për kaq shumë vite, më në fund mund të rikthehet në ditët e lavdishme?
Optimizmi është padyshim shumë i lartë pas fitores në derbin e fundit, një sukses 3-1 që e riktheu Milanin në garën për titull dhe e nxori nga një krizë që dukej si greminë.
Skuadra kuqezi e nisi ndeshjen në mënyrë të furishme, duke shënuar dy gola vetëm në 10 minutat e para.
Fillimisht shënoi amerikani Pulisic, e më pas francezi Rabiot.
Kampionia e Italisë reagoi dhe arriti ta ngushtojë rezultatin në 2-1, pas golit të mbrojtësit Alessandro Bastoni në minutën e 22-të, por Milani goditi sërish shpejt. Dy minuta para fundit të pjesës së parë, Diego Moreira shënoi një gol të bukur me goditje dënimi.
Heroi i ndeshjes ishte pikërisht Moreira, një yll me pasaportë belge dhe origjinë të përzier, nga Guinea Bisao në Afrikë dhe nga Gjermania.
Njëzetedyvjeçari dha dy asiste për golat e parë, përveç goditjes së shkëlqyer të dënimit.
Kjo ishte fitorja e katërt radhazi e kuqezinjve në derbi, ndërsa në 8 sfidat e fundit me zikaltërit ka 6 fitore dhe dy barazime.
Kjo epokë e artë erdhi pas 6 humbjeve radhazi në vitet 2023-2024.
Edhe pse Interi pati epërsi në zotërim topi dhe në gjuajtje, sërish nuk arriti të shënojë gol tjetër dhe ta shmangë humbjen.
Reagimi i shtypit italian
“Ekstazë e Milanit”, titullon “La Gazzetta dello Sport”, “derbi mbetet makth për Interin: 1-3! Moreira është mbreti, dy asiste dhe një gol!”
“Il Corriere dello Sport” veçon trajnerin kuqezi, Amorim: Stramorim! Ruben çmonton Kivunë, Moreira luan rolin e fenomenit! Bie Interi!
Kampionët kanë 25 pikë në renditje pas 10 javëve të Serisë A, po aq sa Lazio, ndërsa Milani është ngjitur në kuotën e 21 pikëve.
Burimi: abcnews.al