Kalo te përmbajtja

Lajme të shpejta, të verifikuara dhe të paanshme

Lajm i fundit
Kulturë

Restauruesit zbulojnë teknikën e fshehtë të Michelangelos në Vatikan

Një ndërhyrje restauruese e kryer së fundmi në Kapelën Sistine në Vatikan ka nxjerrë në dritë hollësi të reja rreth teknikave të veçanta që Michelangelo përdori për të krijuar kryeveprën e tij “Gjykimi i Fundit”.

Teknika e penelit me shumë maja

Gjatë punimeve të mirëmbajtjes, të cilat u zhvilluan në shkurt dhe mars, restauruesit konstatuar se artisti përdorte vazhdimisht një penel të posaçëm me disa maja, të ngjashëm me një krehër, për të vendosur ngjyrën mbi suva. Ky mjet, që besohet se është projektuar dhe ndërtuar nga vetë Michelangelo, i mundësonte atij të vizatonte disa vija paralele me një lëvizje të vetme.

Zbulimi u bë nga Laboratori i Restaurimit i Muzeve të Vatikanit, gjatë pastrimit të murit të altarit nga depozitat e grumbulluara ndër vite. Ekipi, i udhëhequr nga Paolo Violini, punoi nga një skelë me shtatë nivele, duke pasur mundësinë ta shihte afreskun nga afër dhe të dallonte teknika që më parë nuk ishin vërejtur plotësisht.

Peneli me shumë maja i shërbente Michelangelos për të përshpejtuar punën në sipërfaqe të gjera, por edhe për të krijuar efekte që të kujtonin punën e një skulptori. Nëpërmjet vijave të kryqëzuara dhe ndryshimit të vazhdueshëm të drejtimit të penelatave, artisti arrinte të krijonte hije dhe kontraste që u jepnin figurave një pamje tridimensionale.

Autoportreti i fshehur dhe pastrimi i afreskut

Drejtoresha e Muzeve të Vatikanit, Barbara Jatta, ka theksuar se Michelangelo pikturonte sikur të ishte duke skulpturuar. Ndryshe nga piktorët e tjerë, të cilët zakonisht ndiqnin format anatomike me penelata, ai përdorte vija në drejtime të ndryshme për të krijuar një lojë të veçantë të dritës dhe hijes.

Ndër zbulimet që janë vënë sërish në pah gjatë ndërhyrjes është edhe një autoportret i fshehur i Michelangelos. Ai ndodhet në pjesën e poshtme të afreskut, në skenën e ringjalljes së trupave, i fshehur mes palëve të veshjes së një figure alegorike që përfaqëson vdekjen.

Ky detaj lidhet me një incident të vitit 1541, kur Michelangelo ra nga skela gjatë punës dhe pësoi një dëmtim të rëndë në këmbë. Pas shërimit, artisti thuhet se la një gjurmë simbolike të përvojës së tij në afresk, përmes një fytyre të dobësuar dhe të rrudhur, që ngjason me tiparet e tij.

Kuratori i Departamentit të Artit të shekujve XV dhe XVI, Fabrizio Biferali, e përshkruan këtë figurë si një shenjë të heshtur, por domethënëse, të një artisti që e ndiente veten të ringjallur pas vuajtjeve të përjetuara gjatë realizimit të veprës.

Ndërhyrja restauruese shërbeu gjithashtu për të larguar një shtresë të bardhë të laktatit të kalciumit, e krijuar në sipërfaqen e afreskut gjatë tri dekadave pas restaurimit të mëparshëm në vitet 1990. Kjo shtresë formohej nga depozitat e krijuara si pasojë e djersitjes së miliona vizitorëve që kalojnë në Kapelën Sistine.

Për pastrimin e saj u angazhuan 30 restaurues, të cilët punuan për 30 ditë në dy turne, duke përdorur kompresa me ujë të distiluar dhe letër japoneze për të mbrojtur sipërfaqen e pikturës.

Sipas Paolo Violinit, rezultatet ishin mbresëlënëse, pasi pas pastrimit u rikthyen kontrastet mes dritës dhe hijes, duke bërë më të dukshme figurat dhe ngjyrat e afreskut.

Zbulimet dhe rezultatet e kësaj ndërhyrjeje janë përmbledhur në librin “Michelangelo 2026. Mirëmbajtja e jashtëzakonshme e Gjykimit të Fundit”, të redaktuar nga Barbara Jatta dhe Fabrizio Biferali dhe botuar nga Edizioni Musei Vaticani. Vepra përfshin edhe një studim shkencor mbi gjendjen e afreskut dhe teknikat e përdorura gjatë restaurimit./KultPlus.com

Burimi: kultplus.com

Të fundit Të gjitha