Kalo te përmbajtja

Lajme të shpejta, të verifikuara dhe të paanshme

Lajm i fundit
Kronikë

Tiranë, arrestohen 6 persona për dhunë në protestë

Gjashtë persona janë ndaluar, tre të tjerë janë proceduar penalisht dhe dy janë shpallur në kërkim, pas akteve të dhunshme që ndodhën gjatë protestës së mbajtur dje në Tiranë.

Veprimet e protestuesve dhe reagimi i policisë

Sipas Policisë, protestuesit kundërshtuan dhe sulmuan me sende të forta, mjete piroteknike, bomba molotov dhe objekte të tjera punonjësit e policisë, ndërsa bllokuan qarkullimin dhe i vunë flakën disa kazanëve të mbeturinave. Gjatë kontrolleve, policia sekuestroi edhe bomba molotov.

Njoftimi i policisë: Tiranë / Kundërshtuan dhe goditën me sende të forta, lëndë piroteknike, bomba molotov, sfera dhe vida metalike punonjësit e Policisë, bllokuan qarkullimin dhe dogjën kazanë mbeturinash; arrestohen 6 shtetas, procedohen penalisht 3 të tjerë dhe shpallen në kërkim 2.
Sekuestrohen bomba molotov.
Në vijim të veprimeve hetimore dhe procedurale, të kryera nën drejtimin e Prokurorisë, për dokumentimin ligjor të akteve të dhunës gjatë tubimit të zhvilluar ditën e djeshme, u arrestuan shtetasit:
Sh., 26 vjeç, L. K., 18 vjeç, F. Ç., 38 vjeç, K. R., 35 vjeç (shtetas i huaj), si dhe 2 shtetas të mitur.
Gjithashtu, u proceduan penalisht 3 shtetas dhe u shpallën në kërkim 2 të tjerë.
Gjatë kontrolleve, shtetasve L. K. dhe A. Sh. iu gjetën dhe iu sekuestruan bomba molotov.
Specialistët për Hetimin e Krimit, në bashkëpunim me Prokurorinë, vijojnë veprimet për dokumentimin e plotë të veprimeve të kundërligjshme të kryera gjatë tubimit, identifikimin e shtetasve të tjerë të përfshirë dhe vënien e tyre përpara përgjegjësisë ligjore.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë për veprat penale “Vrasja e punonjësit të Policisë”, e mbetur në tentativë, “Organizimi dhe pjesëmarrja në grumbullime e manifestime të paligjshme”, “Prishja e qetësisë publike”, “Kundërshtimi i punonjësit të Policisë së rendit publik”, “Shkelja e rregullave mbi lëndët plasëse dhe djegëse”, “Pengimi i qarkullimit të mjeteve të transportit”, “Shkatërrimi i pronës me zjarr” dhe “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve shpërthyese dhe i municionit”.

Top Channel

Burimi: top-channel.tv

Të fundit Të gjitha