Një ngjarje tragjike është raportuar këtë mëngjes në fshatin Demiraj të Gjilanit, ku në një banesë janë gjetur pa shenja jete dy persona, një burrë dhe një foshnjë.
Konfirmimin e këtij lajmi e ka dhënë Policia e Kosovës.
Zbulimi në fshatin Demiraj
“Më 01.11.2026, rreth orës 08:47, kemi marrë një informacion se në një shtëpi në fshatin Demiraj të komunës së Gjilanit dyshohet të ketë dy trupa të pajetë, një person të gjinisë mashkullore të lindur në vitin 1999 dhe një foshnjë. Menjëherë në vendin e ngjarjes kanë shkuar njësitet përkatëse policore, Prokurori i Shtetit dhe ekipi i emergjencës mjekësore, ku mjeku kujdestar ka konstatuar se të dy personat janë pa shenja jete”, ka deklaruar për Gazetën Express zëdhënësi i Policisë për rajonin e Gjilanit, Ismet Hashani.
Hetimet dhe obduksioni
Hashani ka shtuar se, me vendim të Prokurorit të Shtetit, trupat e pajetë do të dërgohen në Institutin e Mjekësisë Ligjore në Prishtinë për t’u kryer obduksioni.
“Në bashkëpunim me Prokurorin e Shtetit po ndërmerren të gjitha veprimet e nevojshme operative dhe hetimore për të ndriçuar dhe sqaruar plotësisht rrethanat e rastit, i cili është cilësuar si ‘vdekje e dyshimtë’”, ka thënë ai.
Burimi: insajderi.org