Kalo te përmbajtja

Lajme të shpejta, të verifikuara dhe të paanshme

Lajm i fundit
Kronikë

Të shtëna te porta e shtëpisë, 22-vjeçarja dyshon te ish-burri

Të shtëna te porta e shtëpisë, 22-vjeçarja dyshon te ish-burri
Foto: kohajone.com

Një burrë 37-vjeçar është vënë në pranga nga Policia e Roskovecit, me dyshimin se ka shtënë me armë zjarri pranë shtëpisë së ish-bashkëshortes së tij, në fshatin Luar. Ngjarja ka shkaktuar frikë tek 22-vjeçarja Aleksandra Elmazaj, e cila ka treguar se në çastin e të shtënave ndodhej në banesë bashkë me motrën dhe vajzën e saj të mitur.

Dëshmia e 22-vjeçares për të shtënat

“Ishim në gjumë, ishte ora 00:48. Dëgjuam të shtëna arme. Nuk dolëm jashtë. Kur u zgjuam në mëngjes, gjetëm katër gëzhoja te porta. Njoftova policinë”, rrëfeu ajo. Sipas 22-vjeçares, dyshimet e saj janë përqendruar te ish-bashkëshorti, Besmir Mustaj, me të cilin është ndarë ligjërisht pas pesë vitesh martesë. Ajo thotë se pas ndarjes ai e ka kërcënuar vazhdimisht, duke e detyruar të kërkojë ndihmën e policisë dhe të pajiset me urdhër mbrojtjeje.

“Që nga momenti kur u ndamë, ai vinte këtu dhe më kërcënonte nëpërmjet telefonit, por me armë jo. Kam shkuar në polici para dy-tre muajsh dhe kam bërë një denoncim. Jam me urdhër mbrojtjeje”, deklaroi Elmazaj.

Kërcënimet ndaj partnerit të ri dhe apeli për mbrojtje

E reja bëri të ditur se aktualisht është në një lidhje të re, të cilën ish-bashkëshorti i saj nuk e pranon. Sipas saj, ai ka kërcënuar edhe partnerin e saj, duke i kërkuar të ndërpresë marrëdhënien me të. “Ai i kishte shkuar në shtëpi dhe e kishte kërcënuar që të hiqte dorë nga unë. I kishte thënë: ‘Është gruaja ime’”, tregoi 22-vjeçarja.

Ajo shtoi se ish-bashkëshorti nuk interesohet për vajzën e tyre, e cila ndodhet nën kujdestarinë e saj. E frikësuar për sigurinë e saj dhe të familjes, Elmazaj i bëri apel policisë që të marrë masa për ta mbrojtur, duke shprehur shqetësimin se kërcënimet mund të përshkallëzohen.

Burimi: kohajone.com

Të fundit Të gjitha