Një tragjedi e rëndë ka tronditur Shtetet e Bashkuara, ku një fëmijë një vjeç, Cohen Wiley, humbi jetën nga të shtënat e policisë ndaj një automjeti në qytetin Senatobia.
Autoritetet morën një telefonatë për një vjedhje të dyshuar të një pakete pelenash. Brenda makinës ndodheshin nëna e fëmijës, Velesiya Wiley, dhe shoqja e saj, Latoya Ferrell.
Imazhet tregojnë efektivët duke rrethuar automjetin dhe duke u kërkuar dy grave të ndalonin. Sipas hetuesve, shoferja u përpoq të drejtonte makinën drejt policëve, të cilët hapën zjarr. Fëmija u qëllua për vdekje, ndërsa gruaja tjetër mbeti e plagosur.
Dokumentet e policisë tregojnë se nëna e kishte marrë fëmijën në krahë për t’u treguar efektivëve se në automjet ndodhej një fëmijë.
Policia deklaroi se shoferja kishte rrezikuar të përplaste një prej oficerëve, ndërsa zyra e Prokurores së Përgjithshme, Lynn Fitch, i cilësoi të shtënat si të justifikuara.
Megjithatë, avokati i familjes publikoi rezultatet e një autopsie të pavarur, sipas së cilës fëmija ishte qëlluar nga ana e automjetit dhe jo nga pjesa e përparme. Ky konstatim ka ngritur pikëpyetje mbi rrethanat e të shtënave.
Burimi: abcnews.al










