ISLAMABAD, 22 tetor /ATSH-DPA/- Turqia, Pakistani, Indonezia dhe Katari kanë si qëllim të përforcojnë bashkëpunimin në sektorin e mbrojtjes, duke shtuar prodhimin e përbashkët të teknologjisë dhe pajisjeve ushtarake.
Ministria e Mbrojtjes e Katarit bëri të ditur përmes rrjetit social X se përfaqësuesit e katër shteteve nënshkruan dje një marrëveshje në Doha, kryeqyteti i Katarit.
Nga burimet pakistaneze të sigurisë mësohet se këto vende, ku shumica e popullsisë është myslimane sunite, kërkojnë të rrisin kapacitetet e tyre mbrojtëse përballë asaj që e shohin si një rrezik të mundshëm afatgjatë nga Irani për rajonin e Gjirit Persik.
Një ndër fushat kryesore të bashkëpunimit do të jetë prodhimi i përbashkët i pajisjeve më të përballueshme për t’u mbrojtur nga sulmet me dronë.
Bashkëpunimi do të përfshijë gjithashtu teknologjinë ushtarake detare, pajisjet dhe sistemet që përdoren për operacionet në det.
Pakistani ka arritur të rrëzojë ose të ndalojë dronë të sofistikuar në disa raste, gjatë përballjes ushtarake me Indinë vitin e kaluar.
Kjo përvojë mund të jetë e rëndësishme për bashkëpunimin e ri në fushën e mbrojtjes.
Ndërkohë, Turqia konsiderohet një nga prodhuesit e rëndësishëm të armëve në botë dhe vitet e fundit, ka përmirësuar marrëdhëniet me vende të tjera myslimane.
Sipas vëzhguesve, bashkëpunimi i ri mund të shërbejë edhe si një mënyrë për të kundërbalancuar ndikimin e Iranit në rajon.
Pakistani, Turqia dhe Arabia Saudite njoftuan së fundmi, krijimin e një aleance të gjerë, e cila përfshin edhe bashkëpunimin në fushën e mbrojtjes.
Megjithatë, nuk ka të dhëna se marrëveshja e re mes Turqisë, Pakistanit, Indonezisë dhe Katarit përfshin një aleancë të tillë të përbashkët ushtarake. //a.i/
Burimi: ata.gov.al









