CIA ka publikuar hollësi të reja për disa operacione që synonin hedhjen me parashutë të agjentëve sekretë në Shqipërinë komuniste të Enver Hoxhës. Megjithatë, në një rast, misioni përfundoi me dështim të plotë, pasi agjentët nuk zbritën sipas planit të parashikuar. Nga ana tjetër, zbulohet se si Sigurimi i Shtetit kishte arritur të infiltronte spiunë deri në Organizatën e Kombeve të Bashkuara.
23 nëntor 1951
Raport i detajuar mbi operacionin e infiltrimit
Për shkak të nervozizmit të lartë që agjenti T5 shfaqi përpara hedhjes, ekziston mundësia që ai të mos ketë marrë sinjalin e rrahjes në shpatull përpara daljes nga avioni, edhe pse T5 këmbëngul se është goditur nga shpërndarësi. Ndryshimi i planeve të grumbullimit gjatë udhëtimit drejt vendit të hedhjes është vështirë të kuptohet dhe kjo bëri që T5 të mendonte se po braktisej qëllimisht nga grupi. Pas hedhjes, agjentët ishin aq të shpërndarë saqë as trajnimi i tyre për grumbullim me anë të sinjaleve të zërit nuk u ndihmoi.
Taktikat e rigrupimit kanë funksionuar me grupe të tjera kur ato kanë zbritur në një distancë të mbulueshme nga dëgjimi. T1 dhe pjesa tjetër e grupit kishin urdhër të vendosnin sa më shpejt komunikimet radio dhe nuk është e mundur që ata të kenë menduar të braktisin T5, veçanërisht kur vareshin prej tij për mbështetje. T1, 2 dhe 3 e njihnin mirë zonën dhe besonin se do të gjenin së shpejti T5, por ky gabim gjykimi ndodh shpesh dhe një plan i parapërgatitur është shumë më i mirë sesa përpjekja për të gjetur njëri-tjetrin me shans.
Përplasja me jugosllavët
Tre të shtëna pushke të dëgjuara nga T5 mund të kenë qenë pistoleta e përdorur nga grupi për grumbullim në rast urgjence. T5 pati disa përplasje me patrullat jugosllave dhe ka vrarë disa ushtarë jugosllavë, si dhe në një rast një informator civil. Autoritetet jugosllave nuk kanë dyshime se T5 është një agjent i besueshëm shqiptar me mision të CIA-s. Por veprimet e T5 në Jugosllavi tregojnë një urrejtje të madhe të tij ndaj Titos dhe kjo mund të ketë ndikuar te informacionet e kaluara tek ne mbi Jugosllavinë.
Më 16 gusht 1951, T5 u nis me avionin drejt zonës së hedhjes, por raportoi disa detaje që mund të hedhin dritë mbi mungesën e organizimit të operacionit. T5 raporton se u ndje i trullosur sapo u hap dera e avionit dhe kjo nuk u shkaktua vetëm ngaqë shikonte jashtë, por ngaqë dalloi disa shenja të dukshme zjarri që lëshoheshin drejt avionit. Agjenti T1 bëri dy ndryshime të instruksioneve gjatë rrugës, në lidhje me vendin dhe kohën e hedhjes. T5 raporton se ndryshimi i vendit të takimit iu tregua vetëm agjentëve T1, 2 dhe 3. T1 instruktoi T2 dhe T3 që, nëse nuk takoheshin në hedhje, ta gjenin njëri-tjetrin me anë të miqve që njihnin në zonë, kurse T5 nuk u përfshi në këtë plan, në një kohë që ai nuk e njihte zonën.
Kur iu dha sinjali i përgatitjes, T5 u pozicionua pranë derës së avionit dhe do të hidhej kur të merrte sinjalin e rrahjes në shpatull. Sapo e ndjeu atë, T5 doli nga avioni dhe hapi parashutën. Ai thotë se u habit kur gjeti tokë të pjerrët me rreth 20-30 gradë, teksa parashuta e përfshiu dhe e bëri të rrokullisej poshtë dishezës. T5 nuk e njihte zonën, por u mundua të qëndronte disa kilometra pranë zonës së hedhjes, me shpresën për të rigjetur grupin e agjentëve të tjerë.
Takimi me banorët
Rreth shtatë ditë pasi u hodh në Shqipëri, T5 i foli një gruaje të vjetër në një fshat për t’i kërkuar ushqim. Ajo e paralajmëroi se kishte patrulla pranë fshatit dhe se ishte e rrezikshme të shkonte në shtëpi me të. Ajo i dha më vonë ca bukë me djathë. Një ditë më vonë, T5 mori drejtimin për në Jugosllavi. Rrugës hasi në disa fshatarë që e pyetën nëse ishte Liman Peposhi. T5 u përgjigj fillimisht se ishte Peposhi, por kur po dukej se nuk ishte Peposhi, u tha se ishte njeriu i Peposhit. Burri i vjetër i tha se nuk kishin dëgjuar prej kohësh për të dhe vrisnin mendjen ç’ishte bërë me të.
Përplasja me grekët
Dy ditë para se T5 të arrinte në kufirin me Jugosllavinë, hasi tre patrulla në drejtim të tij, të cilat pasi morën pozicionet, hapën zjarr kundër tij. Uniformat e tyre ngjanin me ato të ushtarëve grekë. Pas rreth një ore përpjekjeje, ai arriti të çante rrethimin. Më 30 gusht T5 kaloi në Jugosllavi dhe takoi një burrë të vjetër në zonën e ndaluar të kufirit. Burri i vjetër i tha se Gostivari ishte gjashtë orë larg nga juglindja. T5 eci për disa ditë, por në vend të vazhdonte në drejtim të Greqisë, shkoi në fshatin e tij, Gjilan të Kosovës, ku ishte i sigurt se do të merrte ushqim dhe strehim. Më tej ai vizitoi fshatin e Kabashit ku vizitoi shtëpinë e Xhemal Hazizit. Ata fillimisht kishin frikë ta strehonin T5, por e pranuan me kusht që fëmijët e tyre të mos dinin për prezencën e tij.
Pesë ditë pasi kishte ardhur në Kabash, T5 i tha Selmanit të sillte kunatin e tij Rexhep Tërpeza, i cili është kryetari i komunës së Tërpezës. Pasi erdhi, ai tha se shqiptarët e Kosovës ishin anti-titoistë dhe dëshironin fuqimisht bashkimin me Shqipërinë, qoftë edhe nën regjimin e Hoxhës. Sipas tij, kosovarët mendonin se nëse bashkoheshin me Shqipërinë, ata do të kishin mundësi të vepronin më shumë kundër regjimit të Hoxhës. Tërpeza informoi gjithashtu T5 se kosovarët janë konfuzë me afrimin aktual në marrëdhëniet Jugosllavi-SHBA.
Ata nuk e kuptojnë përse SHBA-ja ndihmon Titon, i cili pretendon se është komunist. Kosovarët kanë parë shumë produkte amerikane, edhe pse ato shiten me anë të kooperativave. Tërpeza tha se vetëm një pjesë e vogël shiten në tregun e lirë dhe kjo ndodh në qytetet e mëdha ku ka amerikanë. Tërpeza tha se shqiptarët që largoheshin në Jugosllavi viheshin në punë në ndërtimin e rrugëve dhe në disa raste ato dërgoheshin si klandestinë në Shqipëri, për llogari të shërbimeve sekrete të UDB-së. Ai tha se edhe një grup britanik kishte ardhur në Jugosllavi nga Shqipëria. Atyre u ishte thënë të largoheshin në Jugosllavi në rast nevoje, pasi jugosllavët do të siguronin lirimin e tyre.
Por pasi u vunë në punë në riparimin e rrugëve, disa prej tyre u larguan përsëri për në Shqipëri, me shpresë të arrinin në Greqi. T5 mësoi prej tij se jugosllavët kishin një kamp për refugjatët shqiptarë në Vuçiternë. Aty shqiptarët ndaheshin në dy kategori: ata që viheshin në punë dhe ata që merrnin ushqim dhe strehim pa punuar. Ai nuk dinte arsyet e kësaj ndarjeje. Tërpeza tha se kishte aktivitete rezistence në zonat e Gjakovës e Rugovës, por nuk dinte më shumë. Ai tha se Hasan Alia nga Remniku kërkohej nga forcat qeveritare që prej vitit 1944. Ai mund të ketë dalë në mal dhe mund të jetë aktiv me grupet e sipërpërmendura të rezistencës. Kur arriti në Greqi, T5 u mor në pyetje nga një oficer grek për rreth tre-katër orë, ku T5 tregoi detaje të aktivitetit të tij në Shqipëri dhe Jugosllavi.
Komentet
Meqenëse T5 nuk i gjeti dot shokët e tij të hedhjes, ai mendon se është braktisur nga tre anëtarë të grupit, të cilët ndryshuan vendin e takimit dhe nuk e përfshinë në planin e ri. Sipas një memorandumi të 17 prillit 1951, Liman Peposhi dhe Tahir Vata janë rekrutuar nga CIA.
Burimi: www.balkanweb.com









