Përballë bllokut të sigurisë pranë Komisariatit nr. 3 në Tiranë, një burrë 54-vjeçar përpiqet të frenojë lotët ndërsa tregon se si i biri, student i vitit të tretë në Universitetin Bujqësor, ra në duart e policisë gjatë protestave që kanë përfshirë kryeqytetin.
Herën e fundit që kishte komunikuar me të, djali i kishte thënë në telefon se po ecte në trotuar për të marrë një taksi. Ishte ora shtatë e gjysmë e mbrëmjes. Më pas, i biri nuk iu përgjigj më thirrjeve në telefon.
“Kanë ushtruar një dhunë barbare,” thotë ai, ndërsa shton se i biri ndodhet në qeli me hundën e thyer dhe fytyrën e dëmtuar nga goditjet e policisë.
Ai pretendon gjithashtu se një shok i të birit ka përfunduar në spital, pasi është goditur me shkopinj gome. Sipas tij, një video e shpërndarë në Instagram, tregon vajza që u bërtasin policëve të ndalojnë goditjet ndaj dy të rinjve.
“I lutem Policisë së Shtetit mos t’i sakatojë kalamajtë,” thotë ai. “Arrestoje, por mos e qëllo në kokë,” shton, përpara se zëri t’i dridhet dhe të shpërthejë në lot.
Babai, i cili punon si roje objektesh, thotë se me pagën prej rreth ‘500 mijë lekësh të vjetra’ në muaj mezi siguron jetesën. Tani familjes i duhet të gjejë edhe para për avokatët që do të mbrojnë djalin.
Historia e tij është vetëm një nga dhjetëra drama familjare që po marrin jetë në dyert e komisariateve dhe gjykatave, ndërsa protestat kundër qeverisë së kryeministrit Edi Rama janë shoqëruar me arrestime masive dhe denoncime për dhunë policore.
Prindërit që presin lirimin e fëmijëve të tyre denoncojnë goditje me shkopinj gome, keqtrajtime gjatë ndalimit dhe arrestime që i konsiderojnë të padrejta.
Por zemërimi i tyre shkon përtej dhunës policore. Ata flasin për pagat e ulëta, koston e lartë të jetesës, korrupsionin dhe mungesën e perspektivës, të njëjtat probleme që i nxorën fëmijët e tyre në protestë.
Në rrëfimet e tyre mbizotëron zhgënjimi ndaj një shteti që, sipas tyre, nuk u ka krijuar të rinjve mundësi për të ndërtuar një të ardhme në Shqipëri dhe tani po i ndëshkon për shkak se kërkojnë ndryshim.
Nga sheshet e protestës te dyert e komisariateve
Prej 13 tetorit, Tirana është përfshirë nga një valë përplasjesh mes protestuesve dhe forcave të rendit, pas përshkallëzimit të demonstratave të studentëve dhe nxënësve kundër qeverisë së kryeministrit Edi Rama.
Të rinjtë protestojnë kundër korrupsionit, kostos së lartë të jetesës, mungesës së perspektivës ekonomike dhe kushteve të arsimit, ndërsa kërkojnë dorëheqjen e kryeministrit.
Demonstratat, të cilat u paraprinë nga muaj protestash kryesisht paqësore, janë shoqëruar me përleshje, dëmtime të pronës publike dhe private, përdorim të gazit lotsjellës, topave të ujit dhe plumbave të gomës nga policia, si dhe me arrestime të shumta.
Policia ka raportuar për efektivë të plagosur dhe dëmtime të institucioneve, ndërsa organizatat e të drejtave të njeriut dhe të medias kanë ngritur shqetësime për proporcionalitetin e përdorimit të forcës.
Por ndërsa pamjet e përplasjeve kanë dominuar kronikat televizive, një tjetër dramë është zhvilluar përpara komisariateve dhe gjykatave, ku prindërit presin lajme për fëmijët e tyre të ndaluar.
Përpara Gjykatës së Tiranës, ku priste vlerësimin e masës së arrestit ndaj djalit, një tjetër baba e përshkruan përvojën si dëshmi të frikës që, sipas tij, ka zëvendësuar besimin te institucionet.
“Enveri i ka pushkatu, ky po i mbyt me dajak.,” thotë ai, duke bërë një krahasim mes qeverisë së Edi Ramës dhe regjimit totalitar të ish-diktatorit komunist, Enver Hoxha.
Në krah të tij qëndrojnë bashkëshortja dhe vajza.
Babai thotë se djali kishte dalë në protestë jo për të shkaktuar trazira, por sepse dëshironte të jetonte në Shqipëri dhe të kishte një të ardhme më të mirë.
“Djali doli në protestë për të drejtat e veta, për një të ardhme më të mirë në Shqipëri. Për të mos u larguar prej Shqipërie, të rrijë këtu,” thotë ai.
Ai pretendon se gjatë një vizite në Komisariatin nr. 3 kishte parë një tjetër të ri me hundë të thyer, të cilit, sipas tij, nuk i ishte ofruar ndihma e nevojshme mjekësore.
“Kërkesa e parë e jona është që të ketë ligj në Shqipëri dhe jo dhunë policore. Të ketë të drejta çdo njeri,” thotë ai.
Një tjetër prind, babai i një studenti 18-vjeçar, pret pranë të njëjtit bllok sigurie. Ai pretendon se të birin e kishin spërkatur me spraj dhe e kishin goditur në qafë me shkop gome përpara se ta mbanin të ndaluar.
Sipas tij, dy orë pas ndalimit kishte marrë një telefonatë nga një polic, i cili e kishte njoftuar të shkonte për të marrë informacion për djalin.
“Mund ta marrësh, ta verifikosh, por jo ta marrësh në këto lloj kushtesh,” thotë ai, duke kërkuar që policia të mos përdorë dhunë ndaj nxënësve dhe studentëve.
Ai shpreson që gjykata ta lirojë të birin.
Edhe vëllai i një studenti të ndaluar, që priste përpara gjykatës, e konsideron arrestimin të paligjshëm dhe deklaron se nuk ka prova kundër tij. Sipas tij, familja ishte njoftuar për ndalimin përmes një telefonate që i riu kishte bërë nënës.
“Stop dhunës ndaj studentëve,” thotë ai, ndërsa u bën thirrje qytetarëve të mbështesin protestën dhe studentëve të distancohen nga aktet e dhunës. “Të dorëhiqet Rama, se nuk do vdesi Shqipëria po u dorëhoq,” shtoi ai.
Prindërit dalin në rrugë
Përplasjet e fundit duket se kanë ndryshuar edhe përbërjen e protestave, duke sjellë në rrugë prindër, pensionistë dhe pedagogë që e shohin mobilizimin e të rinjve si një mundësi për të shprehur pakënaqësitë e tyre të grumbulluara ndër vite.
Një grua rreth të 50-ave, e cila thotë se merr pjesë në protestë në mbështetje të studentëve, kërkon që prindërit dhe intelektualët të mos qëndrojnë indiferentë.
“Rinia është e ardhmja e këtij vendi. Ata duhet të marrin në dorë fatet e këtij vendi,” thotë ajo, ndërsa shton se dhuna e policisë është e paprecendentë.
“Duhet t’i mbrojmë bijtë tanë. Nuk ka dallim, është i imi apo i joti, të gjithë janë bij nënash,” theksoi ajo.
Një tjetër grua, rreth 55 vjeçe, thotë se ka marrë pjesë në demonstrata prej më shumë se 120 ditësh, por përplasjet e javës së fundit i ka përjetuar veçanërisht rëndë.
“As hamë, as bëjmë punë, as na qesh surrati me këtë situatë që është,” thotë ajo, duke e cilësuar sjelljen e policisë të papërgjegjshme.
Për disa prej protestuesve më të moshuar, demonstratat kanë risjellë kujtime të frikës dhe represionit të së kaluarës.
Një pensionist që thotë se ka ndjekur protestat që prej ditës së parë, kritikon brezin e vet se nuk ka qenë mjaftueshëm i vendosur për të mbështetur të rinjtë.
“Brezi i ri që është ngritur dhe kërkon të drejtat e tij nuk është ndihmuar nga baballarët e tyre e nga gjyshërit, se kanë qenë të trembur,” thotë ai.
Sipas tij, përgjegjësia për të ardhmen e vendit nuk mund t’u lihet vetëm studentëve.
Solidariteti është shtrirë edhe në komunitetin akademik.
Marsela Musabelliu, pedagoge e Ekonomisë, e sheh protestën si një thirrje për përgjegjësi morale ndaj një brezi që, sipas saj, po humbet shpresën.
“Më vjen keq t’i shoh auditorët bosh këtë vit. Më vjen keq t’i shoh studentët e mi që iu ikën drita e shpresës nga sytë nga muaji në muaj,” thotë ajo.
Musabelliu u bën thirrje kolegëve dhe qytetarëve të tregojnë solidaritet, duke argumentuar se indiferenca ndaj fatit të të rinjve do të ketë pasoja për gjithë shoqërinë.
“Të mblidhemi, t’i mbështesim, çfarë të mundemi, kur të mundemi,” shprehet ajo.
Një vend që po humbet të rinjtë
Përtej zemërimit për arrestimet dhe dhunën policore, intervistat me familjarët dhe protestuesit zbulojnë një tjetër burim pakënaqësie, që lidhet me vështirësinë për të siguruar jetesën në Shqipëri.
Pagat e ulëta, çmimet e larta, mungesa e strehimit të përballueshëm dhe emigrimi përsëriten në rrëfimet e njerëzve të moshave dhe profesioneve të ndryshme.
Një grua që është kthyer nga emigrimi për të jetuar në Shqipëri thotë se dy fëmijët e saj tashmë jetojnë jashtë vendit.
“Rizgjodha vendin tim për të jetuar, por e shoh që vështirësitë janë shumë të mëdha,” thotë ajo.
Për të, protestat nuk janë thjesht një përballje me qeverinë, por edhe një kërkesë për të ndalur largimin e vazhdueshëm të të rinjve.
“Ç’na duhet Evropa nëse ne nuk arrijmë të rregullojmë vendin tonë?” pyet ajo. “Të japim mundësi punësimi, që të ketë të ardhme në këtë vend. Nuk duhet të largohen njerëzit. Duhet të kthehen e ta shijojnë këtë vend,” shton ajo.
Një ish-minator 71-vjeçar sjell një tjetër perspektivë mbi vështirësitë ekonomike.
Ai thotë se ka punuar gjithë jetën në minierë dhe sot merr një pension prej 250 mijë lekësh të vjetra në muaj, i cili nuk i mjafton as për faturat e energjisë dhe ilaçet.
“Kam punuar minator gjithë jetën e marr 250 mijë lekë të vjetra në muaj. Nuk më dalin as për të paguar dritat,” thotë ai.
Megjithëse fëmijët e tij janë të martuar, ai thotë se vazhdojnë të përballen me vështirësi ekonomike dhe pasiguri për të ardhmen.
Pensionisti e lidh pakënaqësinë e tanishme edhe me problemet e vjetra të pronësisë dhe me braktisjen e fshatrave. Për të, protestat e studentëve janë shprehje
Burimi: www.reporter.al










