Dy individë janë arrestuar nga Policia e Gjirokastrës, pasi u kapën në flagrancë duke transportuar kundrejt pagesës katër emigrantë që kishin hyrë në mënyrë ilegale në territorin shqiptar nga kufiri me Greqinë.
Operacioni policor “Long Wait”
Operacioni i koduar “Long Wait” u përfundua nga specialistët për Hetimin e Trafiqeve të Paligjshme, në bashkëpunim me strukturat e tjera të Policisë në Gjirokastër dhe Tepelenë.
Në pranga kanë rënë dy të rinj 20-vjeçarë, me inicialet L. A. dhe L. B., të dy banues në Bulqizë.
Ata u ndaluan në aksin rrugor Gjirokastër-Tepelenë, në vendin e quajtur “Uji i Ftohtë”, teksa transportonin me një automjet tip “Volkswagen” katër emigrantët, kundrejt pagesës. Sipas Policisë, dy të rinjtë nuk iu bindën as urdhrit të efektivëve për të ndaluar.
Sekuestrimet dhe procedurat ligjore
Gjatë operacionit u sekuestruan automjeti dhe dy aparate celularë, në cilësinë e provës materiale.
Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë së Gjirokastrës për veprat penale “Ndihma për kalim të paligjshëm të kufirit” dhe “Mosbindja ndaj urdhrit të punonjësit të Policisë”. Hetimet vijojnë për veprime të mëtejshme.
Burimi: euronews.al