Kalo te përmbajtja

Lajme të shpejta, të verifikuara dhe të paanshme

Lajm i fundit
Politikë

Nufi njofton ndërtimin e industrisë ushtarake shqiptare sipas standardeve të NATO-s

TIRANË, 1 nëntor /ATSH/ Ministri i Mbrojtjes, Ermal Nufi, bëri me dije se nëpërmjet kompanisë shtetërore KAYO janë realizuar gjashtë marrëveshje tregtare dhe ka filluar montimi në Shqipëri i automjeteve të blinduara.

Në një bisedë me gazetarin Albatros Rexhaj, në emisionin Hard Talk të platformës mediatike “Radar”, Nufi u ndal te zhvillimet në sektorin e industrisë ushtarake, investimet për kapacitetet e mbrojtjes dhe kontributi i Shqipërisë për sigurinë e Kosovës.

Ligjet e reja dhe bashkëpunimet tregtare

“Me fillimin e zbatimit të ligjeve 87 dhe 88, të cilat janë dy ligje, njëri për industrinë ushtarake dhe tjetri për shoqërinë KAYO, gjatë vitit 2024 kemi hedhur hapat e parë për të ndërtuar bazën jo vetëm ligjore, por edhe atë faktike industriale e infrastrukturore për prodhimin në Republikën e Shqipërisë. Përmes shoqërisë KAYO kemi gjashtë bashkëpunime tregtare”, u shpreh Nufi.

Ai sqaroi se Shqipëria nuk e ka nisur ende prodhimin e fishekëve, mirëpo ka porositur linjat përkatëse të prodhimit gjatë vitit 2025.

Sipas Nufit, zhvillimi i industrisë duhet të bazohet në standardet e Aleancës së Atlantikut të Veriut, në mënyrë që pajisjet dhe armatimet e prodhuara të jenë të përdorshme në bashkëpunim me vendet aleate.

“Por themeli është të prodhosh armë që janë të ndërveprueshme, pra përputhen në bashkëpunim me NATO-n. Pa këtë nuk ka kuptim asnjë prodhim”, theksoi Nufi.

Ministri Nufi argumentoi se krijimi i kapaciteteve vendase do të ndihmojë edhe në shmangien e vonesave që shoqërojnë furnizimet dhe riparimet e pajisjeve ushtarake nga jashtë.

Kapacitetet vendase dhe siguria e Kosovës

“Sot në NATO, për të zëvendësuar materialet e dërguara në Ukrainë, për shkak të procedurave na duhen 18 deri në 20 muaj, ndërsa bllokut lindor i duhen 3–4 muaj. Nëse neve na prishet një mjet, me impiantin tonë e riparon në kohë reale dhe nuk pret tetë muaj procedura apo bllokime në doganë”, u shpreh ai.

I pyetur se sa është e përkushtuar Shqipëria në terma praktikë ndaj mbrojtjes së Kosovës, Nufi tha se “Kosova është republikë e konsoliduar, me institucione dhe njohje ndërkombëtare, e mbështetur nga SHBA dhe Evropa”.

Ministri përmendi edhe angazhimin konkret të Shqipërisë në mbështetje të sigurisë së Kosovës, duke iu referuar dërgimit të helikopterit shqiptar në misionin e KFOR.

“Ne sapo kemi çuar një helikopter në Kosovë, që është një gjest konkret”, deklaroi ministri Nufi.

Duke folur për sigurinë rajonale, ministri vlerësoi rolin e NATO-s dhe të pranisë së KFOR-it në Kosovë, duke theksuar rëndësinë e pozicionimit strategjik të Shqipërisë dhe bashkëpunimit me aleatët.

Ministri i Mbrojtjes theksoi se siguria kombëtare duhet të jetë një çështje që bashkon të gjitha forcat politike, përtej ndarjeve partiake.

“Siguria kombëtare duhet të jetë bipartizane. Armiku nuk të pyet cilës parti i përket”, deklaroi ministri Nufi.

Ai vlerësoi gjithashtu rolin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në kuadër të Aleancës së Atlantikut të Veriut.

“SHBA-të janë aleati kryesor brenda aleancës së NATO-s dhe fuqia më e madhe ushtarake në botë. Në tryezën e ministrave të mbrojtjes të NATO-s ku ulem unë, nuk ka qëndrime të ndryshme sa i përket sigurisë dhe kjo u provua edhe së fundmi në Ankara”, u shpreh ministri.

/e.i/r.e/

Burimi: ata.gov.al

Të fundit Të gjitha