Kalo te përmbajtja

Lajme të shpejta, të verifikuara dhe të paanshme

Lajm i fundit
Kronikë

Avokati i Popullit kërkon verifikim të gazit lotsjellës në protestë

TIRANË, 1 nëntor /ATSH/ Avokati i Popullit deklaroi sot se forca nga ana e policisë duhet të përdoret vetëm në rastet kur është e nevojshme, në përputhje me ligjin dhe në mënyrë proporcionale, dhe se ky parim zbatohet për çdo protestë.

Konstatimet gjatë protestës

Në një postim në rrjetet sociale, Avokati i Popullit vuri në dukje se gjatë protestës së një dite më parë u vërejt “përdorimi i gazit lotsjellës dhe i ujit me presion nga katër automjete të posaçme të policisë”.

Po ashtu, grupi i monitorimit i Avokatit të Popullit inspektoi komisariatet nr. 1, 3 dhe 4, ndërsa mori informacion nga komisariatet nr. 2, 5 dhe 6.

“Gjatë protestës u shoqëruan nëntë persona: gjashtë në Komisariatin nr. 1 dhe tre në Komisariatin nr. 3. Katër prej tyre ishin të mitur. Katër të rriturit në Komisariatin nr. 1 deklaruan se ishin kalimtarë dhe nuk kishin marrë pjesë në protestë”, njoftoi AP.

Sipas AP, dy të miturit në Komisariatin nr. 1 u intervistuan në prani të psikologut dhe të Agjencisë për Mbrojtjen e Fëmijëve, dhe familjet e tyre u njoftuan. U konstatua sërish se në këtë komisariat nuk ka sistem audioviziv për regjistrimin e intervistave.

Rekomandimet e Avokatit të Popullit

Avokati i Popullit rekomandoi në vijim “verifikim të plotë të përdorimit të forcës, me vlerësim të domosdoshmërisë, ligjshmërisë dhe proporcionalitetit të mjeteve, përfshirë gazin lotsjellës dhe ujin me presion; Instalimin e sistemit audioviziv për regjistrimin e intervistave; Dokumentimin e arsyeve konkrete për çdo shoqërim, dhe informimin e çdo të ndaluari për arsyet e ndalimit; Identifikimin e çdo punonjësi të policisë në çdo kohë duke garantuar që uniforma përmban numrin e identifikimit”.

Avokati i Popullit fton çdo person, i cili beson se të drejtat e tij janë shkelur gjatë protestës ose gjatë shoqërimit, t’i drejtohet institucionit me ankesë individuale.

/m.q/r.e/

Burimi: ata.gov.al

Të fundit Të gjitha