Katër nxënës me kombësi shqiptare janë ndaluar nga policia në qytetin e Kotorrit, në Mal të Zi, pasi kryen në rrugë simbolin e shqiponjës me duar. Ngjarja ndodhi rreth orës 17:30 të ditës së djeshme, kur një grua e moshuar malazeze u kërkoi atyre të ndalonin atë veprim.
Denoncimi i gruas malazeze
Sipas burimeve zyrtare, gruaja iu drejtua nxënësve në gjuhën malazeze, mirëpo ata nuk e kuptuan kërkesën e saj dhe vazhduan të bënin simbolin e shqiponjës. Më pas, ajo njoftoi policinë dhe paraqiti një kallëzim, duke pretenduar se ishte kërcënuar prej tyre, raporton gazetarja Klodiana Lala.
Pasi mori denoncimin dhe deklaratën me shkrim të gruas, policia e Kotorrit shoqëroi katër të rinjtë dhe vendosi ndalimin e tyre, me dyshimin për kundërvajtjen e nxitjes së urrejtjes kombëtare.
Paraqitja në gjykatë
Sipas informacionit të transmetuar nga autoritetet malazeze, katër nxënësit do të dalin sot, më 1 nëntor, përpara gjykatës kompetente, ku do të shqyrtohet çështja e tyre.
Burimi: www.balkanweb.com