Ndër qindra komunikime që SPAK ka në dosje për të vërtetuar pronësinë e ish zëvendëskryeministres Belinda Balluku për vilën në Dhërmi, gjendet edhe një mesazh i dërguar në korrik 2021. Në mesazhin e WhatsApp të dërguar nga një punonjës i Ballukut shihet një kuti e kuqe plot me euro, të cilat sipas prokurorisë ndodhen në vilën në kompleksin turistik “White Rocks”.
Qindra komunikime të vartësve apo bashkëpunëtorëve të Belinda Ballukut, si dhe telefonata përgjatë viteve 2018-2025, janë përdorur nga Prokuroria e Posaçme për të vërtetuar pronësinë faktike të ish zëvendëskryeministres mbi vilën dykatëshe tip Begonia në “White Rocks” në Dhërmi.
Vila prej 103 m², e rrethuar me një parcelë toke jo më pak se 300 m², për të cilën SPAK thotë se aktualisht vlen 720 mijë euro, është përdorur nga Balluku që prej qershorit të vitit 2019 deri të paktën në shkurt-mars 2026, periudhë kur SPAK ka lokalizuar telefonin e Ballukut në këtë zonë, para se vila të sekuestrohej me vendim gjykate vetëm 3 muaj më vonë.
Provat e SPAK për vilën në White Rocks
Në dokumentin e lexuar nga Report Tv ka dhjetëra faqe me prova që sipas Prokurorisë së Posaçme vërtetojnë pa asnjë lloj dyshimi se vila në kompleksin turistik “White Rocks”, që formalisht rezulton në emër të ish futbollistit të njohur Igli Tare, i përket në fakt ish zëvendëskryeministres Belinda Balluku.
Komunikimet e ish vartësve, shoferit të Ballukut, punonjësve të pastrimit në shtëpinë e saj në Tiranë, administratorëve të kompleksit dhe familjarëve të këtyre të fundit, të gjithë i referoheshin godinës “f6” si “vila e shefes”. Ndërkohë nga ana tjetër, arredimi apo investimet ishin bërë sipas preferencave të Ballukut, ndërsa në godinë janë gjetur foto e prova të tjera që vërtetojnë se ish zëvendëskryeministrja e përdorte atë në vazhdimësi, për të paktën disa ditë çdo muaj për vite me radhë, sipas qelizave telefonike të numrit celular të Ballukut.
Ka edhe një detaj interesant në një dokument të SPAK që Report Tv ka lexuar. Një mesazh i dërguar mëngjesin e datës 17 korrik 2021 nga bashkëshorti i sanitares së Ballukut në banesën e saj në Tiranë tregon sipas SPAK një fotografi, në të cilën shfaqet një kuti e kuqe, në të cilën ndodhen tufa kartëmonedhash 50 euroshe, të lidhura me llastik. Prokuroria e Posaçme shkruan në dokument se kutia e kuqe është “në dukje si në ambientet e vilës F6, në kompleksin White Rocks”.
Pra kjo kuti e kuqe e mbushur me euro sipas SPAK është në vilën e Ballukut në Dhërmi.
Bashkëshorti i sanitares së Ballukut, Lavdrim Smone, së bashku me gruan dhe vajzën e tij sipas të gjitha komunikimeve zhvendosen herë pas here në vilën e Dhërmiut për të bërë pastrimet. Shpesh i dërgonte atje shoferi personal i ish zëvendëskryeministres.
Lajme në përditësim…
Burimi: shqiptarja.com