Filarmonia e Kosovës paraqet mbrëmjen e sotme, më 1 nëntor, koncertin simfonik “From Darkness to Light”, një rrugëtim muzikor që fillon me përballjen me dhimbjen, konfliktin dhe përçarjet, për të arritur te shpresa dhe kremtimi i jetës.
Koncerti në Prishtinë
Koncerti do të zhvillohet nga ora 19:30, në Atelienë e Pallatit të Rinisë dhe Sportit në Prishtinë, me Orkestrën e Filarmonisë së Kosovës nën drejtimin e dirigjentit italian Marco Crispo.
Solist i mbrëmjes do të jetë kitaristi slloven Mak Grgić, i nominuar katër herë për çmimin Grammy.
Programi muzikor
Programi muzikor përfshin “Tragic Overture” të Johannes Brahmsit, “Borders” të kompozitorit Michael Abels dhe Simfoninë nr. 8 të Antonín Dvořákut, përmes të cilave publiku do të përjetojë një udhëtim artistik nga errësira drejt shpresës dhe dritës.
Koncerti organizohet në bashkëpunim me ReMusica-n, me mbështetjen e Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit dhe Ambasadës së Italisë në Prishtinë./KultPlus.com
Burimi: kultplus.com

