Kuarteti vokal Zà Quartet e prezantoi për herë të parë publikun më 28 tetor, në kuadër të platformës ReNew të festivalit ReMusica, i cili këtë vit shënon 25-vjetorin e themelimit.
I formuar nga katër këngëtaret Elona Alshiqi, Syarta Mehmeti, Dea Musliu dhe Aurora Hyseni, Zà Quartet paraqitet si një projekt i ri muzikor, i nisur nga dëshira e përbashkët e artisteve për të krijuar së bashku dhe për t’i sjellë një qasje të re muzikës vokale në ansambël, kryesisht përmes interpretimit acappella, shkruan KultPlus.
Programi i koncertit të parë
Për prezantimin e tyre të parë, kuarteti përgatiti një program të pasur, duke ndërthurur vepra me stile dhe ngjyra të ndryshme muzikore. Në repertor u përfshinë “Earth Song”, “To Sit and Dream”, “Një tokë, një kokë” nga Rafet Rudi, “Laje ti moj goce” në aranzhimin e Kushtrim Gashit për këtë kuartet, si dhe “N’bash t’zamanit” nga Leart Sejdiu, vepër e kompozuar posaçërisht për Zà Quartet dhe e prezantuar për herë të parë para publikut në këtë koncert.
Planet për të ardhmen
Për katër këngëtaret, ky debutim përfaqëson vetëm fillimin e një rrugëtimi artistik, të cilin synojnë ta zhvillojnë përmes projekteve dhe bashkëpunimeve të reja. Ndërkaq, për vitin e ardhshëm, Zà Quartet ka planifikuar disa projekte të reja artistike, të cilat kanë marrë miratimin për mbështetje nga Ministria e Kulturës dhe Turizmit.
Ky mbështetje përbën një motivim shtesë për artistet që të vazhdojnë realizimin e ideve të tyre dhe zhvillimin e kuartetit, me synimin për të zgjeruar aktivitetin dhe për t’i sjellë publikut projekte të reja në fushën e muzikës vokale../KultPlus.com
Burimi: kultplus.com
