Së shpejti, Vllaznia pritet të ketë një kompleks të ri sportiv bashkëkohor, i cili do të quhet “Vllaznia Elite Campus”. Ky projekt do të zbatohet nën drejtimin e presidentit Alban Xhaferi, ndërsa investimi është planifikuar të realizohet në dy faza.
Faza e parë e kompleksit
Faza e parë do të përqendrohet në ndërtimin e katër fushave të futbollit, nga të cilat tri do të jenë me bar natyral dhe një me sipërfaqe sintetike, e cila do të realizohet falë bashkëpunimit me Federatën Shqiptare të Futbollit. Ndërsa në fazën e dytë parashikohet një stadium modern me kapacitet rreth 3 mijë vendesh, ambiente sportive multifunksionale, kompleks hotelier, qendër rikuperimi dhe përgatitjeje, SPA, pishinë dhe infrastrukturë e nevojshme për organizimin e grumbullimeve sportive ndërkombëtare.
Vendndodhja dhe qëllimi i projektit
Investimi i madh pritet të shtrihet në një sipërfaqe prej rreth 70 mijë metrash katrorë, e vendosur në zonën e Omarajt në Malësinë e Madhe, vetëm 10 minuta larg qytetit të Shkodrës.
Ky projekt ambicioz i presidentit Alban Xhaferi i siguron Vllaznisë një hapësirë tjetër zhvillimi, përveç punës që po bëhet me ekipin e parë, akademinë e klubit dhe skuadrën e femrave. Sipas Xhaferit, ky projekt u jep mundësi brezave të sotëm dhe atyre që do të vijnë në të ardhmen që të rriten me ngjyrat tradicionale kuqeblu të Vllaznisë.
Burimi: www.albeu.com