Kalo te përmbajtja

Lajme të shpejta, të verifikuara dhe të paanshme

Lajm i fundit
Kulturë

Inteligjenca artificiale ndihmon në gjetjen e pikturës së vjedhur 20 vjet më parë

Një pikturë e shekullit të 17-të, e cila ishte vjedhur nga një kishë në Itali rreth dy dekada më parë, është identifikuar dhe kthyer në vendin e saj origjinal falë ndihmës së inteligjencës artificiale.

Zbulimi në panairin e antikuarëve

Identifikimi ndodhi në vjeshtën e vitit 2024, kur policia italiane përdori një sistem të inteligjencës artificiale për të shqyrtuar fotografitë e marra në panairin e antikuarëve “Mercanteinfiera”, një event që mbledh ekspozues nga vende të ndryshme evropiane.

Sistemi dalloi një pikturë me vaj që paraqiste një grua të re duke mbajtur një pergamenë. Ajo i ngjante një vepre të shekullit të 17-të që përfaqëson Shën Agnesën, e cila ishte vjedhur nga kisha Virgo Potens në qytetin e Sulmonës, në rajonin e Abruzzos.

Piktura kishte pësuar ndryshime me kalimin e viteve. Në veprën origjinale, Shën Agnesa mbante një qengj në krah, por ky detaj ishte mbuluar me një pergamenë mbi të cilën ishte shkruar një tekst në latinisht. Pavarësisht kësaj, sistemi arriti të identifikonte ngjashmëritë duke u mbështetur në detajet vizuale, nuancat e ngjyrave dhe format e figurave.

Teknologjia SWOADS dhe rikuperimi i veprave

Teknologjia e përdorur quhet SWOADS (Stolen Works of Art Detection System) dhe është krijuar nga inxhinieri i teknologjisë informative Salvatore Rapicavoli. Sistemi është në përdorim që nga viti 2023 nga Njësia e Karabinierëve për Mbrojtjen e Trashëgimisë Kulturore, e specializuar në luftimin e krimeve kundër artit.

Sipas raportimit të BBC-së, deri tani kjo teknologji ka ndihmuar në rikuperimin e më shumë se 300 pikturave dhe skulpturave të mëdha, si dhe të mbi 165 mijë objekteve më të vogla, duke përfshirë monedha, letra dhe medalje. Vlera e përgjithshme e tyre vlerësohet të kalojë 200 milionë dollarë.

Piktura e Shën Agnesës tashmë i është kthyer kishës nga ku ishte vjedhur, ndërsa personat përgjegjës për vjedhjen ende nuk janë identifikuar./KultPlus.com

Burimi: kultplus.com

Të fundit Të gjitha