Mbrëmjen e sotme vijon nata e dytë e Festivalit të Këngës “Akordet e Kosovës”.
Në një ambient festiv dhe me një skenë madhështore, mbrëmë në palestrën “1 Tetori” në Prishtinë u mbajt nata e parë e edicionit të katërt të Festivalit të Këngës në RTK “Akordet e Kosovës”.
Ky event i rëndësishëm muzikor, i cili u transmetua drejtpërdrejt në Radiotelevizionin e Kosovës, si dhe në Radiotelevizionin Shqiptar e në Radiotelevizionin e Maqedonisë së Veriut në kanalin e gjuhës shqipe, i prezantoi publikut një kombinim të pasur zhanresh, nga rock-u alternativ, etno-pop-i dhe xhazi, deri te baladat emocionuese.
Nata e parë dhe pjesëmarrësit
Nata e parë ngjiti në skenë 17 solistë garues, të cilët u shoqëruan drejtpërdrejt nga orkestra dhe bendi i festivalit.
Ndërkohë, nata e tretë do të kushtohet festivalit të fëmijëve, që vjen me edicionin e tij të parë.
Synimi për Eurovision dhe vlerësimet
Drejtoresha e Përgjithshme e Radiotelevizionit të Kosovës, Zana Spahiu, bëri të ditur se transmetuesi publik ka nisur lobimin pranë Unionit Evropian të Transmetuesve (EBU), me qëllim që fituesi i Festivalit të Këngës “Akordet e Kosovës” të përfaqësojë vendin tonë në Eurovision. Spahiu tha se RTK-ja tashmë ka dërguar një kërkesë në EBU, e cila është shqyrtuar nga ky institucion.
“Mendoj se gjasat i kemi të mira, por besoj se kemi edhe mjaft punë për të treguar që me të vërtetë festivali që organizohet dhe fituesi i tij duhet të përfaqësohet e të jetë pjesë e garës”, deklaroi Spahiu.
Ajo theksoi se lobimi dhe përpjekjet do të vazhdojnë, me shpresën për të ndryshuar statutin e EBU-së, i cili aktualisht nuk e lejon Kosovën të jetë pjesë e këtij mekanizmi. Spahiu foli edhe për rëndësinë e edicionit të katërt të festivalit, duke theksuar rikthimin e emërtimit historik “Akordet e Kosovës” dhe angazhimin e stafit të RTK-së në realizimin e këtij projekti.
Ndërkaq, Xheraldina Cërnobregu, nënkryetare e Bordit të RTK-së, vlerësoi punën e bërë për organizimin e festivalit, duke shprehur shpresën që ai të shërbejë si një urë mes të kaluarës dhe të tashmes.
Ndërsa drejtori artistik i festivalit, Florent Boshnjaku, tha mbrëmë për RTK-në se rikthimi i emrit historik “Akordet e Kosovës” i jep këtij edicioni një rëndësi të veçantë artistike dhe kulturore.
“Ne meritojmë edhe një festë muzikore, meritojmë ta vlerësojmë historinë dhe sivjet kemi rikthyer edhe emrin e ‘Akordeve të Kosovës’. Kështu që festivali ‘Akordet e Kosovës’ rifillon si histori”, tha Boshnjaku./rtk/KultPlus.com
Burimi: kultplus.com










