Zëdhënësi i Aleancës, Kushtrim Xhemaili, ka reaguar pas një fushate të organizuar në rrjetet sociale, e cila sipas tij ka shkuar deri në kërcënime të hapura për jetën e Ramush Haradinajt dhe Daut Haradinajt.
Xhemaili deklaroi se dhjetëra profile të rreme po përhapin në mënyrë sistematike shpifje dhe informacione të pavërteta, të cilat Aleanca i ka hedhur poshtë zyrtarisht që në fillim.
Ai veçoi një profil me emrin fiktiv “Besmir Kelmendi”, i cili përdor fotografinë e Avni Rrustemit dhe prezantohet si “Avni Rrustemi 2.0”.
Sipas Xhemailit, ky profil gjatë dy ditëve të fundit ka zhvilluar një fushatë propagandistike me thirrje publike për vrasjen e Ramush Haradinajt dhe Daut Haradinajt.
“Ky profil po kërkon me qëllim të lidhë emrin e familjes Haradinaj me rastin tragjik në Pejë, duke përdorur citate dhe pretendime të rreme të personave të përfshirë në atë ngjarje, me synim nxitjen e vetëgjyqësisë dhe akteve vëllavrasëse”, tha Xhemaili.
Xhemaili bëri të ditur se kanë dorëzuar pranë Policisë së Kosovës dhe organeve të drejtësisë të gjitha të dhënat dhe provat për këtë profil dhe llogaritë e tjera të lidhura me të.
“Ne do të ndjekim rrugën ligjore deri në fund për çdo individ që fshihet pas këtyre profileve dhe që prodhon apo shpërndan mesazhe të tilla terrorizuese”, tha ai.
Zëdhënësi i Aleancës kritikoi edhe deklaratat e deputetëve të partisë në pushtet, të cilat sipas tij po i japin mbështetje kësaj fushate të linçimit dhe kërcënimit online.
Ai e cilësoi këtë si një përpjekje për të zhvendosur vëmendjen e opinionit publik nga dështimi i institucioneve për të parandaluar rastin tragjik në Pejë.
“Tragjeditë njerëzore nuk mund dhe nuk do të lejohen të keqpërdoren për luftë politike e as për nxitje të dhunës. Autorët e këtyre kërcënimeve dhe nxitësit e tyre politikë shumë shpejt do të përballen me forcën e ligjit dhe të drejtësisë”, përfundoi Xhemaili.
Burimi: pressonline.al










