Kalo te përmbajtja

Lajme të shpejta, të verifikuara dhe të paanshme

Lajm i fundit
Kronikë

Gjykata në Prishtinë liron me dorëzani Burim Krasniqin pas dy vitesh arrati

Gjykata në Prishtinë liron me dorëzani Burim Krasniqin pas dy vitesh arrati
Foto: reporteri.al

Pas pothuajse dy vitesh në arrati, Burim Krasniqi, një nga figurat kryesore të përfshira në skandalin e madh të falsifikimit të dokumenteve zyrtare në kuadër të operacionit të koduar “Laboratori ’25”, nuk do të dërgohet në paraburgim.

Edhe pse Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës (PSRK) kishte paraqitur kërkesë për caktimin e masës së paraburgimit me qëllim sigurimin e pranisë së tij në procedurë, Departamenti Special i Gjykatës Themelore në Prishtinë vendosi ta lërë të lirë, duke i caktuar masën e dorëzanisë në vlerën prej 20 mijë eurosh.

Rasti “Laboratori 25”- Ky është personi që u arrestua si i dyshuar për falsifikim të dokumenteve

Krasniqi, i cili i kishte shpëtuar drejtësisë që nga fillimi i hetimeve intensive për këtë rrjet kriminal, shmang kështu qelinë e paraburgimit, pavarësisht peshës së rëndë të veprave penale që i atribuohen, rrezikut të arratisjes dhe faktit që ka qenë i pagjurmueshëm për organet e rendit për një periudhë kaq të gjatë.

Sanksionet ndërkombëtare dhe goditja e “Rrjetit Krasniqi”

Emri i Burim Krasniqit dhe i anëtarëve të tjerë të këtij rrjeti nuk kishte mbetur vetëm brenda kufijve të Kosovës. Në tetor të vitit 2025, Qeveria e Mbretërisë së Bashkuar kishte vendosur sanksione të drejtpërdrejta ndaj të ashtuquajturit “Rrjeti Krasniqi”, duke bllokuar pasuritë e tyre dhe duke vendosur ndalesa udhëtimi.

Sipas partnerëve ndërkombëtarë të sigurisë dhe dokumenteve zyrtare të zbuluara gjatë hetimeve, ky grup organizonte dhe drejtonte një rrjet të mirëfilltë të krimit të organizuar ndërkombëtar. Përmes pajisjeve të sofistikuara teknologjike, laboratorët e tyre prodhonin dokumente false udhëtimi, pasaporta, leje qëndrimi dhe dokumente të tjera identifikuese të shteteve të ndryshme të Bashkimit Evropian dhe Mbretërisë së Bashkuar, duke lehtësuar kështu trafikimin e paligjshëm të njerëzve dhe krimin ndërkufitar.

Të gjithë emrat e përfshirë dhe të arrestuar në këtë mega-dosje

Gjatë hetimeve intensive të zhvilluara nga PSRK-ja dhe Policia e Kosovës, në koordinim edhe me agjencitë ndërkombëtare të zbatimit të ligjit, si EUROPOL-i, rrjeti i falsifikuesve është goditur në disa faza. Në dosjen e gjerë hetimore dhe aksionet e ndërmarra deri më tani përfshihen emrat e të gjithë të dyshuarve dhe të arrestuarve:

Burim Krasniqi – I konsideruar si një nga krerët e kësaj strukture kriminale, i cili ndodhej në arrati për afro dy vjet dhe që së fundmi u la i lirë me dorëzani prej 20 mijë eurosh nga Gjykata Themelore në Prishtinë.

Flamur Krasniqi – I dyshuar kyç në këtë rrjet, i arrestuar në fazat e mëparshme të aksionit.

Valon Krasniqi – I përfshirë në strukturën e grupit për prodhimin dhe shpërndarjen e dokumenteve të falsifikuara.

Arif Krasniqi – I dyshuar si ndërmjetës brenda rrjetit për sigurimin e personave të interesuar për dokumente false.

Nexhmije Selmani – E dyshuar për lehtësimin e veprimtarisë kriminale përmes sigurimit të hapësirave/lokaleve ku gjendeshin pajisjet dhe laboratorët e falsifikimit.

Shkëmbim Ermellahu – I arrestuar gjatë aksioneve të kontrollit, i gjetur në posedim të dokumenteve dhe mjeteve përcjellëse.

Sami Duriqi – I dyshuar për përfshirje të drejtpërdrejtë në procesin teknik të prodhimit të dokumenteve zyrtare të falsifikuara.

Granit Avdyli – I përfshirë në operativën e grupit për prodhimin dhe reklamimin e shërbimeve të këtij rrjeti.

Sh. E. – I arrestuar gjatë zgjerimit të hetimeve në koordinim me partnerët ndërkombëtarë.

Prapaskenat e rastit dhe dështimet procedurale

Aksioni i Prokurorisë Speciale kishte rezultuar me zbulimin e një laboratori modern të falsifikimit, ku ishin konfiskuar pajisje të teknologjisë së lartë, matrica, letra speciale dhe mijëra dokumente në proces falsifikimi, duke tronditur tregun e dokumenteve të falsifikuara në rajon.

Megjithatë, gjatë dy vjetëve të fundit, trajtimi i këtij rasti nga institucionet e drejtësisë është përcjellë me lëshime të njëpasnjëshme procedurale.

Siç ka raportuar ekskluzivisht Gazeta Insajderi, e njëjta gjykatë – Departamenti Special i Gjykatës Themelore në Prishtinë – ishte detyruar më herët të urdhëronte lirimin e një tjetër të dyshuari kyç në këtë rast, Flamur Krasniqit.

Arsyeja kishte qenë serioze: Prokuroria Speciale kishte kaluar afatet ligjore të parapara për mbajtjen e tij në paraburgim, duke ngritur pikëpyetje për trajtimin institucional të rastit dhe duke rrezikuar vazhdimësinë e procedurave.

Arrestohet një person në rastin “Laboratori 25” – dyshohet për falsifikim dokumentesh për mbi 50 shtete

Kjo seri e lëshimeve, ku nga njëra anë prokuroret lejojnë skadimin e afateve për të pandehurit në paraburgim, ndërsa nga ana tjetër gjykata vendos që të dyshuarin, i cili kishte qenë në arrati prej vitesh, ta lirojë me një dorëzani prej 20 mijë eurosh, ka ngritur pikëpyetje mbi seriozitetin e trajtimit të rasteve të krimit të organizuar të profilit të lartë.

Pavarësisht kësaj historie të gjatë të shmangies nga drejtësia, sanksioneve ndërkombëtare dhe lëshimeve të mëparshme procedurale në këtë mega-dosje, Departamenti Special vlerësoi sërish se garancia financiare është e mjaftueshme për të garantuar praninë e Burim Krasniqit në gjykatë.

Laboratori i falsifikimit të dokumenteve në Prishtinë- Të arrestuar babë e bir, Insajderi sjell detaje ekskluzive nga dosja

Vendimi i Shkallës së Parë pritet të kundërshtohet me urgjencë nga Prokuroria Speciale përmes ankesës në Gjykatën e Apelit, e cila do të vendosë nëse ky i dyshuar do të kthehet në paraburgim apo do të vazhdojë të mbrohet në liri./Insajderi.org/

Një herë shkoi si dëshmitar, e më pas ra në pranga- Kush është i arrestuari tjetër për laboratorin e falsifikimit të dokumenteve në Prishtinë?

Burimi: insajderi.org

Të fundit Të gjitha