Gazetari Fatos Mahmutaj ka komentuar protestat e dhunshme që ndodhën në Tiranë, duke dënuar aktet e vandalizmit si dhe dëmtimin e pronës publike e private. Gjatë një interviste për emisionin “Ora e Fundit”, Mahmutaj theksoi se protestat e dhunshme nuk prodhojnë asnjë rezultat, ndërsa paralajmëroi se përgjegjësia për aktet e dhunës duhet të shtrihet përtej atyre që i kryejnë ato.
Fatos Mahmutaj për pasojat e protestave të dhunshme
“Shpresoj që të mos ketë më protesta të dhunshme ose, të paktën, ta kenë kuptuar edhe ata që nuk e kishin kuptuar më parë, pra ata që mendonin se shkatërrimi i shtetit, i pasurisë së shqiptarëve dhe i pronave private funksiononte mirë. Besoj se duhet të kenë reflektuar se kjo lloj proteste dhe kjo lloj dhune nuk çon askund.
Shpresoj që nesër ta kenë kuptuar këtë dhe t’i japin fund vandalizmit dhe akteve rrugaçërore ndaj pasurisë së shqiptarëve dhe, le ta themi, ndaj pasurisë private të disa të tjerëve. Sepse shkatërrimi i bankave private dhe i bizneseve private është një lloj fature që, edhe pse mund të dëmshpërblehet nga siguracionet apo nga mekanizmat qeveritarë, lë një njollë mbi ata njerëz që e pësuan mbi kurriz. Pra, do të jetë një plagë e hapur për ta.
Shpresoj që nesër të mos ketë akte dhune. Tani, për t’u kthyer te pyetja juaj, nëse duhet të shqetësohen më shumë dhunuesit apo porositësit e dhunës, unë mendoj se duhet të shqetësohen porositësit e dhunës, sepse, sidoqoftë, dhunuesit identifikohen, merren në përgjegjësi dhe përgjegjësia do të përcillet drejtpërdrejt te ata që e porositën dhunën.
Për më tepër, porositja e dhunës bëhet për hiçmosgjë. Është thjesht për disa kapriço që nuk kanë as anë, as udhë, dhe për disa akte vandalizmi, të cilat thjesht shkatërrojnë pasurinë e shqiptarëve”, tha Mahmutaj.
Mahmutaj drejton gishtin nga Sali Berisha
Ai e drejtoi gishtin nga Sali Berisha, të cilin e cilësoi si porositësin e dhunës, duke pretenduar se Partia Demokratike është kthyer në një mekanizëm të tillë. Gazetari shprehu gjithashtu shpresën që protestat e ardhshme të zhvillohen pa incidente dhe pa akte vandalizmi.
“Sali Berisha, mor vëlla, është ajo punë. Dihet, dihet kush është porositësi i dhunës. Domethënë, njeriu që prodhon dhunë, porosit dhunë, bën dhunë dhe gjithçka e ka mbështetur mbi dhunën është Sali Berisha.
Domethënë, dhuna ka gjithmonë një emër dhe ky emër është një emër i përveçëm, një emër real, i cili është skeduar gjerësisht si dhunues dhe si aktivist i dhunës. Dhe ky është Sali Berisha.
Pra, nuk duhet të mendojmë gjatë. Nuk ka nevojë për të menduar gjatë. Është Sali Berisha ai që ka marrë peng Partinë Demokratike dhe e ka kthyer atë në një mekanizëm dhune”, u shpreh ai.
Burimi: abcnews.al










