Sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio, do të zhvillojë të shtunën një takim me ministrat e jashtëm të Australisë, Indisë dhe Japonisë. Ky është takimi i tyre i tretë gjatë këtij viti, ndërkohë që po merr formë plani për një samit të liderëve të katër vendeve në Manila muajin e ardhshëm.
Samiti i liderëve të Kuadit në Manila
Samiti i liderëve parashikohet të mbahet gjatë konferencës së Shoqatës së Kombeve të Azisë Juglindore (ASEAN) në kryeqytetin e Filipineve, më 15-18 nëntor. Ai do të jetë samiti i parë që nga viti 2024 dhe i pari për presidentin e SHBA-së, Donald Trump.
Samitet e para zyrtare të liderëve të katër vendeve, të njohura si Kuad, nisën vetëm pasi presidenti Joe Biden mori detyrën në vitin 2021. Trump kishte planifikuar të merrte pjesë në një samit të Kuadit në Indi në fund të vitit 2025, por e anuloi vizitën për shkak të fërkimeve tregtare dhe mosmarrëveshjeve për tarifat me Nju Delhin.
Takimi i G20 në Atlanta
Pas takimit të ministrave të Kuadit, Rubio do të mbyllë një takim dy-ditor të Grupit të 20 ekonomive kryesore, që po zhvillohet në Atlanta.
Rubio, gjatë një pritjeje në Akuariumin e Xhorxhias të premten në mbrëmje, përsëriti thirrjen e tij që anëtarët e G20-ës të bashkëpunojnë aty ku është e mundur, duke pasur parasysh sfidat komplekse ekonomike dhe gjeopolitike të ditëve të sotme, shumë prej të cilave kanë pasoja serioze globale.
“Meqenëse të gjithë përballemi me këto sfida, duhet të punojmë të gjithë së bashku për t’i adresuar ato. E ardhmja e kombeve tona varet nga gatishmëria jonë për të kuptuar se, ndërsa interesat tona mund të mos përputhen gjithmonë, ne duhet të përpiqemi gjithmonë të punojmë së bashku për t’i çuar ato përpara kur dhe aty ku ato përputhen,” tha ai.
Burimi: euronews.al










