Qytetarë, anëtarë të familjeve dhe aktivistë u mblodhën sot në Pejë në një protestë për të kërkuar drejtësi për Arlinda Zekajn, 49-vjeçaren e vrarë më 25 tetor në Vitomiricë.
Protestuesit kërkuan përgjegjësi institucionale dhe zbardhjen e plotë të ngjarjes. Për vrasjen dyshohet ish-kunati i viktimës, Albert Sylaj, i cili është arrestuar dhe ndodhet në paraburgim.
Marshi protestues në Pejë
Marshi i protestuesve nisi nga Komuna e Pejës dhe është paralajmëruar të vazhdojë drejt Qendrës për Punë Sociale, Policisë dhe Gjykatës, për të përfunduar në Prokurori.
Njëra prej organizatoreve të protestës deklaroi se institucionet kanë dështuar ta mbrojnë jetën e Arlindës.
“Ne sot si qytetarë e bashkëqytetarë të Arlindës kemi ardhur te secili institucion për të kërkuar drejtësi”, është shprehur ajo.
Gjatë protestës u hodhën tymuese, ndërsa pjesëmarrësit brohoritën thirrjen: “Edhe sa gra të vrara?”.
Protesta në mbështetje të kërkesës për drejtësi janë paralajmëruar edhe në Mitrovicë, në orën 13:00, dhe në Prishtinë, në orën 16:00.
Shqetësimet për mbrojtjen e grave
Rasti ka rikthyer në vëmendje shqetësimet për mbrojtjen e grave që raportojnë dhunë dhe kërcënime. Vetëm tri ditë para se të vritej, Arlinda Zekaj i kishte dërguar një letër kryeprokurores së Pejës, ku kishte shprehur frikën për jetën e saj.
Ndërkohë, ditën e vrasjes, ish-bashkëshorti i saj, Jeton Sylaj, ishte ndaluar nga organet e rendit, pasi Zekaj e kishte denoncuar për mosrespektim të urdhrit mbrojtës.
Burimi: lajmifundit.al










