Gazetari Artan Hoxha ka dhënë opinionin e tij në studion e News24 për zhvillimet politike në vend, duke u fokusuar te qëndrimi i kryeministrit Edi Rama për dialogun, roli i opozitës dhe marrëdhëniet e qeverisë shqiptare me faktorët ndërkombëtarë.
Hoxha vlerësoi se me Ramën është e vështirë të ndërtohet dialog, pasi sipas tij kryeministri nuk e njeh këtë formë komunikimi. Ai përmendi edhe protestat e studentëve në vitin 2018, duke pohuar se edhe atëherë Rama i detyroi studentët të dëgjonin qëndrimin e tij.
Nga ana tjetër, gazetari kritikoi edhe opozitën, duke theksuar se ajo duhet të ndryshojë qasjen dhe të jetë më pranë qytetarëve, nëse synon të marrë pushtetin.
Skandalet dhe pozicioni i qeverisë
Hoxha deklaroi se qeveria dhe kryeministri po përballen me një sërë skandalesh, ndërsa vuri në dukje se disa përfaqësues të mazhorancës janë nën hetim ose përballë drejtësisë.
Marrëdhëniet e Ramës me partnerët ndërkombëtarë
Një pjesë të rëndësishme të analizës së tij gazetari ia kushtoi marrëdhënieve të Ramës me partnerët ndërkombëtarë, duke pretenduar se kryeministri po humbet mbështetjen që ka pasur deri më tani. Ai tha se kryeministri ka humbur kredibilitetin në arenën ndërkombëtare dhe se mediat e huaja po e portretizojnë gjithnjë e më shumë si një autokrat.
“Me Ramën s’mund të bëhet dialog. Rama nuk e njeh dialogun. Edhe në 2018 i detyroi ta dëgjonin. Në rastin konkret dhe opozita ka nevojë për një dialog. Duhet të kthehet në shërbim, nëse ka ndërmend të vijë në pushtet. Opozita nuk po bën atë që duhet. Sot kjo qeveri sidomos ky pushtet dhe ky kryeministër është i mbytur nga skandalet. Më shumë përfaqësues të qeverisë i shikon në dyer të drejtësisë apo në burgje. Po ta shohësh ka ngelur i vetëm. Edi Ramës po i mbaron oksigjeni që merrte nga ndërkombëtarët. Po i pritet ai tubi që e mbante edhe kur ishte keq këtu brenda. Kryesisht, shoh në tërësi qëndrimin që kanë që në momentin kur kanë filluar këto qëndrime. Rama sot ndërkombëtarisht është i diskredituar, nuk ka sot një media serioze , grupe xhirimi që vijnë…Të gjithë tashmë Ramën e shohin si autokrat. Raportet e mediave ndërkombëtare bëjnë që drejtuesit e vendeve të BE apo të SHBA, marin raportet e mediave dhe e shohin ndikimin që ka media botërore në Shqipëri. Rama e ka humbur kredibilitetin dhe mbështetja është edhe qëndrimi i përfaqësuesve të vendeve kryesore të BE, të cilët po luajnë nën rrogoz. Po përdorin edhe skandale dhe përgjime dhe prova kundër këtij pushteti. Vetëm rasti i regjistrimit të Ron Yeffet e ka bërë një diplomat i një vendi mik të Shqipërisë në Shqipëri që ka qenë dhe ka kontakt edhe i shërbimeve gjermane dhe britanike”, tha ai.
Burimi: www.balkanweb.com










