Policia e Shtetit duhet të kontrollojë me kujdes reagimin ndaj protestuesve, deklaron deputeti Saimir Korreshi. Gjatë një interviste të drejtpërdrejtë në emisionin “Studio Live” në Report Tv, deputeti i Partisë Demokratike thekson se qeveria po vepron si diktaturë dhe po pretendon se dëshiron dialog, ndërsa në fakt po merr vendime pa u konsultuar me askënd.
“Më kanë goditur në sy me spray. Kam thithur gazin e tyre dhe të atyre që drejtojnë Demo, pa bërë asgjë. Këta, përpara se të na hapin barkun duke na thënë dialog, dialog çdo mëngjes, duhet të ulin ritmin e këtyre veprimeve që duken sikur po kërcënojnë njerëzit të mos dalin. Po sillen si diktaturë. Nuk ndodh që 50 mijë lekë të merren me maskë, 70 mijë tjetri, gjyshes do t’i hiqet pensioni. Këto janë dridhjet e fundit të një pushteti në delir, një shteti që pretendon se pret të dialogosh dhe shpall datën e zgjedhjeve me shokun Bajram që pretendon se mbledh hoxhallarët, por kur njerëzit qëndrojnë 140 ditë poshtë zyrës së Bajramit, nuk i dëgjon”, tha Korreshi.
Policinë që ka vepruar gjatë dy javëve të protestës e cilësoi “hajdutë me maska”.
“A e dini se është vepër penale që një polic të mos identifikohet? Nuk kishin stemë policie. Kanë qenë hajdutë me maska”, tha Korreshi.
Megjithatë, ndërsa në ekran shfaqej videoja e protestuesve të maskuar që hynin dhe dilnin nga selia blu, Korreshi shmangu komentimin e tyre duke u shprehur se teknikisht nuk mund ta shihte.
“Nuk e shoh dot sepse nuk ma transmetojnë. Nuk ma japin këtu. Nuk kam video. Jam vetëm në audio. Unë shikoj vetëm fytyrën time këtu”, u shpreh deputeti.
Sidoqoftë, ai nuk e mohoi se selia e PD ka qenë e hapur për të gjithë.
“A mendoni se selia e PD është seli huliganësh? Nuk është e tillë. A ka qenë e hapur? Për të gjithë”, vazhdoi Korreshi.
Të shtunën, Partia Demokratike do të vijojë të mbështesë protestën.
“Unë mendoj që PD është angazhuar maksimalisht për të pasur njerëz të panumërt në ndihmë dhe në përkrahje të studentëve. Nuk kemi dashur kurrë të marrim flamurin e kësaj proteste, por PD është në shesh dhe do të jetë në shesh në përkrahje të çdo personi dhe grupi interesi që proteston. PD do të jetë në mbështetje të protestës”, tha Korreshi.
Megjithatë, slogani i protestuesve “Rama në burg, Berisha në burg”, vijon të jetë i ndryshëm për demokratët.
“Unë them Rama në burg, Belinda në burg”, përfundoi Korreshi.
Zgjedhjet vendore të 9 majit 2027 dhe shqetësimi për reformën territoriale
Debati për reformën territoriale që përfundoi me miratimin me 85 vota të socialistëve, ishte vetëm një nga çështjet për të cilat qeveria ka refuzuar dialogun me opozitën, thotë Saimir Korreshi.
Pikërisht reforma territoriale është edhe shqetësimi i demokratëve lidhur me zgjedhjet vendore që do të zhvillohen më 9 maj 2027, shprehet deputeti në një lidhje të drejtpërdrejtë me “Studio Live” në Report Tv. Sa i përket datës, e cila u përcaktua sot nga presidenti Bajram Begaj pasi opozita në bllok refuzoi ftesën, ai thotë se vendimi i socialistëve nuk është gjë e re.
“Çfarë do të merrnim pjesë? Taulanti e kishte thënë me kohë datën 9, nuk ishte ndonjë gjë e re. Kjo është thjesht për të larë gojën. Nuk na shqetëson data, na shqetëson mënyra e reformës territoriale kur nuk e dimë akoma si do të funksionojnë këto bashki. Nuk e dimë si do të shkojë, çfarë elementësh ligjorë kanë të gjitha këto dhe çfarë kompetencash do të marrin këto bashki të reja, ndërsa ne po shkojmë në zgjedhje më datë 9. Pse me kaq shpejtësi kur nuk ke kuadër ligjor?”, tha Korreshi.
Për të kapërcyer situatën që krijon ndarja e re territoriale, deputeti i PD sugjeron një zgjidhje.
“Duhet të ketë një Kod Zgjedhor tjetër, ashtu që PD të ketë 51 vota dhe të mos arrihet në këtë model qeverie”, shprehet Korreshi.
Një bojkot i mundshëm i zgjedhjeve nga PD duke përsëritur gabimet e së shkuarës nuk është opsion.
“Me statut, PD e ka të përcaktuar që nuk bojkoton më zgjedhje. Nuk është diskutuar ndonjëherë marrja ose jo pjesë”, tha Korreshi.
Burimi: shqiptarja.com










