Mirdita mirëpriti edicionin e 12-të të Manifestimit Letrar Trekufitar “Muzat e Alpeve”, me pjesëmarrjen e shkrimtarëve, poetëve dhe krijuesve nga Shqipëria, Kosova dhe Mali i Zi.
Historia letrare e Mirditës dhe Shoqata “Teuta”
Gjatë aktivitetit u prezantua historia e pasur letrare dhe trashëgimia kulturore e Mirditës, ndërsa një vëmendje e veçantë iu kushtua veprimtarisë 11-vjeçare të Shoqatës Rajonale të Shkrimtarëve “Teuta”, e cila gjatë kësaj periudhe është shtrirë në 25 qytete.
Në këtë kuadër u promovua edhe antologjia dygjuhëshe “Muzat e Alpeve”, që përmbledh krijimtarinë e poetëve laureatë.
Përmes fjalës artistike dhe shkëmbimit të përvojave krijuese, manifestimi synon të forcojë lidhjet kulturore dhe letrare mes tre vendeve.
“Kemi nderin të jemi në vendin ku u i jepet çmimi njërës prej mbretëreshës së poezisë shqiptare, Flora Brovina. Mirdita është një vend i begatë sa i përket letërisisë”, tha shkrimtari Ndue Dedaj.
Kryetari i Bashkisë Mirditë, Albert Melyshi, vlerësoi rëndësinë e aktiviteteve të tilla, duke theksuar se ato i japin një tjetër dimension jetës kulturore të zonës dhe promovojnë traditën e saj të pasur në fushën e letërsisë dhe artit.
“Është një moment i veçantë edhe për bashkinë tonë. Ju përgëzoj që keni zgjedhur Mirditën për të ndarë diskutime për letërsisnë. Do të keni mbështetjen e bashkisë për këto aktivitete”, tha ai.
Figura e Flora Brovinës në qendër të edicionit
Në qendër të edicionit të këtij viti ishte figura e poetes së njohur Dr. Flora Brovina, ku në nderim të krijimtarisë së saj u promovua përmbledhja poetike “Pas frymës FJALA”, e përkthyer në gjuhën malazeze si dhe u nderua pas vdekjes me çmimin “Teuta” për Vepër Jetësore, titull i cili iu dorëzua familjarëve të saj të pranishëm në keteaktivitet. Manifestimi Letrar u organizua nga Shoqata Rajonale e Shkrimtarëve “Teuta”, me mbështetjen e Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit të Kosovës, Bashkisë Mirditë dhe Komunës së Deçanit, duke dëshmuar edhe një herë rolin e letërsisë si urë bashkëpunimi dhe komunikimi mes trevave shqiptare dhe më gjerë.
Burimi: shqiptarja.com










