Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë (AUV), përmes kontrolleve kufitare dhe inspektimeve në tregun e brendshëm, ka vërtetuar praninë e aflatoksinave përtej niveleve të lejuara në produktet e kompanisë MONUNI SH.P.K. me seli në Gjilan. Si rrjedhojë, janë ndërmarrë masa për refuzimin e importit, ndalimin e shitjes dhe tërheqjen e produkteve nga qarkullimi.
Kontrolli kufitar dhe gjetjet laboratorike
Gjatë kontrollit kufitar të një ngarkese prej 25,120 kg misër merkantil, analizat laboratorike të AUV zbuluan aflatoksinë B1 në një nivel prej 30 µg/kg, ndërsa analizat e IKSHPK-së konfirmuan aflatoksina totale prej 47 µg/kg, duke tejkaluar vlerën referente prej 10 µg/kg. Inspektorati Fitosanitar i AUV vendosi refuzimin e importit dhe kthimin e ngarkesës në vendin e origjinës.
Në inspektimet e mëvonshme në kompaninë MONUNI, analizat laboratorike të AUV konstatuan aflatoksinë B1 mbi nivelin e lejuar edhe në produktin “Ushqim për viça deri 300 kg”. Inspektorati i AUV ndaloi shitjen dhe urdhëroi tërheqjen e produktit të identifikuar nga qarkullimi.
Rreziqet e aflatoksinës B1 për shëndetin
Aflatoksina B1 është një substancë toksike e krijuar nga disa lloje myqesh, e cila mund të shkaktojë dëmtime të mëlçisë dhe të rrisë rrezikun e kancerit gjatë ekspozimit afatgjatë. Tek kafshët qumështore, ajo mund të kalojë në qumësht në formën e aflatoksinës M1, duke përbërë kështu një rrezik edhe për sigurinë ushqimore.
AUV do të vijojë kontrollet zyrtare dhe analizat laboratorike për të penguar qarkullimin e produkteve që nuk përmbushin standardet e sigurisë dhe për të mbrojtur shëndetin e njerëzve dhe të kafshëve.
Burimi: insajderi.org



