Kalo te përmbajtja

Lajme të shpejta, të verifikuara dhe të paanshme

Lajm i fundit
Shëndetësi

Përmet, rritet interesi për Check-Up, mjekët nxisin kontrolle periodike

Përmet, rritet interesi për Check-Up, mjekët nxisin kontrolle periodike
Foto: rtsh.al

Kujdesi për shëndetin po bëhet gjithnjë e më i rëndësishëm për banorët e Përmetit.

Në vitet e fundit vihet re një interes në rritje për kryerjen e kontrolleve mjekësore bazë, të njohura si Check-Up. Ky program synon të identifikojë në kohë problemet shëndetësore dhe të parandalojë komplikacione të mundshme.

Rritja e interesit për Check-Up në Përmet

Shefja e Shërbimit Shëndetësor në Përmet, Valbona Lipe, bën me dije se një nga faktorët që ka ndikuar në këtë rritje interesi është heqja e kufizimit të moshës, e cila u mundëson më shumë qytetarëve të përfitojnë nga ky shërbim.

Valbona Lipe, shefe e Shërbimit Shëndetësor Përmet, tha se: “Nëse më parë grupmosha ishte 35 deri në 70 vjeç, vendimi i fundit i qeverisë e ka hequr kufizimin e moshës dhe kemi vënë re një shtim të interesit edhe nga pensionistët mbi 70 vjeç për të kryer Check-Up-in.”

Përveç rritjes së numrit të qytetarëve që i drejtohen këtij shërbimi, rëndësia e Check-Up-it qëndron sidomos në mundësinë që ofron për zbulimin e hershëm të sëmundjeve.

“Ka ndikuar jashtëzakonisht shumë për zbulimin e disa sëmundjeve, si në rastet e diabetit, dislipidemive dhe sëmundjeve tumorale, si kanceri kolorektal”, tha Lipe.

Apeli i mjekëve për kontrolle periodike

Në këtë kontekst, mjekët u bëjnë apel qytetarëve të mos presin shfaqjen e shqetësimeve shëndetësore për t’iu drejtuar mjekut, por të tregojnë kujdes të vazhdueshëm për shëndetin përmes kontrolleve periodike.

“Thirrja jonë është që të gjithë personat t’i nënshtrohen ekzaminimeve bazë. Është një shërbim i garantuar dhe shumë i rëndësishëm për shëndetin,” theksoi ajo.

Parandalimi dhe diagnostikimi i hershëm mbeten ndër mënyrat më efektive për të shmangur përkeqësimin e sëmundjeve dhe për të përmirësuar cilësinë e jetës.

Gazetare: Leonida Koçiu

/rtsh.al/

Burimi: rtsh.al

Të fundit Të gjitha