Deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Hykmete Bajrami, deklaroi se Ligji për Menaxhimin e Financave Publike dhe Përgjegjësitë e detyron Qeverinë ta dërgojë Projektligjin për Buxhetin në Kuvend jo më vonë se data 31 tetor.
Afati ligjor dhe vonesa e buxhetit
Megjithatë, theksoi Bajrami, sot që është 31 tetori, Projektligji për Buxhetin e vitit 2027 nuk është miratuar ende në Qeveri.
“Kryeministri Kurti ka njoftuar në Këshillin e Përgjithshëm të partisë së tij se buxhetin do ta miratojë të hënën, më 2 nëntor. Vitin e kaluar, pikërisht më 31 tetor, Kurti mburrej se po e miratonte buxhetin brenda afatit ligjor. Këtë vit, duket se ka vendosur ta shkelë edhe këtë afat. Por, meqenëse tashmë kemi rrëshqitur në parti-shtet, buxheti i Republikës fillimisht ‘kalon’ filtrin e Këshillit të Përgjithshëm të LVV-së, pastaj miratohet në Qeveri dhe pas çdo afati ligjor i dërgohet Kuvendit”, shkroi ajo, mes tjerash.
Kritikat ndaj Kurtit dhe renditjes së institucioneve
Bajrami shtoi gjithashtu se, sipas saj, për Albin Kurtin “partia nuk pyet për ligj e afate ligjore, partia e përcakton rendin e gjërave”.
Postimi i plotë:
Buxheti i shtetit, së pari në parti e pastaj në institucione?!
Sipas Ligjit për Menaxhimin e Financave Publike dhe Përgjegjësitë, Qeveria është e obliguar që Projektligjin për Buxhetin t’ia dorëzojë Kuvendit jo më vonë se më 31 tetor.
Sot është 31 tetori, por Projektligji për Buxhetin e vitit 2027 ende nuk është miratuar në Qeveri. Kryeministri Kurti ka paralajmëruar në Këshillin e Përgjithshëm të partisë së tij se buxhetin do ta miratojë të hënën, më 2 nëntor.
Vitin e kaluar, pikërisht më 31 tetor, Kurti mburrej se po e miratonte buxhetin brenda afatit ligjor. Këtë vit, duket se ka vendosur me mburrje ta shkelë edhe këtë afat.
Por, meqenëse tashmë kemi rrëshqitur në parti-shtet, buxheti i Republikës fillimisht ‘kalon’ filtrin e Këshillit të Përgjithshëm të LVV-së, pastaj miratohet në Qeveri dhe pas çdo afati ligjor i dërgohet Kuvendit.
Ligji e përcakton rendin e institucioneve, por për Albin Kurtin partia nuk pyet për ligj e afate ligjore, partia e përcakton rendin e gjërave.
Ndërsa për mbi 1 miliard eurot e paralajmëruara për investime kapitale do të flasim pasi ta shohim projektbuxhetin.
Me gjasë, kësaj radhe janë parashikuar edhe paratë për kompaninë ndërkombëtare që Dimali ka planifikuar ta angazhojë për t’ia treguar sasinë dhe cilësinë e punimeve në Autostradën e Gjilanit, pasi janë shpenzuar rreth 80 milionë euro e rruga ende nuk ka përfunduar, si dhe për projektet e tjera rrugore që qeveria e LVV-së nuk po arrin t’i përfundojë assesi tash e gjashtë vjet.
Një gjë është me i nda 1 miliard euro në letër, e krejt tjetër me i shndërru ato në rrugë, shkolla, spitale e projekte të përfunduara.
Qytetarëve nuk u duhen miliarda në konferenca e mbledhje partiake. U duhen rezultate!
Qytetarëve u duhet siguri fizike e juridike, respektim i ligjit nga krerët e shtetit, sepse nëse Qeveria nuk i respekton ligjet dhe afatet ligjore, si mund ta kërkojë këtë prej vartësve të vet?
Buxheti është i shtetit/qytetarëve, jo i partisë. Ligji dhe afatet ligjore vlejnë dhe duhet të respektohen edhe nga qeveritarët.
Askush mbi Ligjin!
Përgjegjësi!
Burimi: insajderi.org









