Eder Militao është përballur me një grabitje në rezidencën e tij luksoze në La Moraleja të Madridit, ndërkohë që mbrojtësi i Real Madridit ndodhej në stol gjatë ndeshjes kundër Barcelonës në El Clasico.
Sipas raportimit të mediumit spanjoll El Mundo, të paktën dy grabitës kanë depërtuar në vilën e futbollistit brazilian gjatë pjesës së parë të takimit. Autorët kanë marrë orë, bizhuteri dhe sende të tjera luksoze, me një vlerë totale që kalon 350 mijë euro.
Në momentin kur ndodhi grabitja, në banesë ndodheshin edhe familjarët e Militaos. Ata po e ndiqnin ndeshjen në katin e parë, ndërsa hajdutët kanë hyrë në dhomat e katit të sipërm dhe kanë vepruar pa u vënë re.
Sendet e vjedhura
Mes sendeve të vjedhura janë identifikuar dy orë të markave të njohura. Njëra ishte Rolex, me vlerë rreth 53 mijë euro, ndërsa tjetra një Richard Mille, që kushton afërsisht 170 mijë euro.
Grabitësit kanë marrë gjithashtu tri çanta dore Chanel, me një vlerë të përbashkët rreth 15 mijë euro. Nga banesa janë zhdukur edhe unaza e byzylykë të markës Cartier, të vlerësuara në rreth 25 mijë euro.
Pjesë e plaçkës kanë qenë edhe bizhuteri të tjera, aksesorë mode dhe valixhe të markave luksoze. Në përfundim, dëmi financiar llogaritet në më shumë se 350 mijë euro.
Hetimi dhe karriera e Militaos
Ngjarja u vu re pasi në një nga dhomat u konstatuan gjurmë të qarta kërkimi. Në dhomën e gjumit të futbollistit, dollapët ishin hapur dhe sendet ishin lënë të shpërndara.
Policia dhe stafi i sigurisë së kompleksit luksoz shkuan në vilë pas zbulimit të grabitjes. Hetimi ka nisur për gjetjen e autorëve, ndërsa pamjet e kamerave të sigurisë po shqyrtohen si një prej provave kryesore.
Militao e ndoqi El Clasicon nga pankina dhe për grabitjen mësoi vetëm pasi u kthye në shtëpi. Rasti i tij i bashkohet episodeve të tjera ku futbollistë të Real Madridit dhe yje të futbollit spanjoll janë sulmuar në banesat e tyre luksoze.
Eder Militao u transferua te Real Madridi në verën e vitit 2019, pasi klubi spanjoll e bleu nga Porto për 50 milionë euro. Në total, mbrojtësi brazilian ka zhvilluar 195 ndeshje dhe ka shënuar 14 gola me fanellën e “Los Blancos”.
Megjithatë, rrugëtimi i tij në futboll është ndikuar nga disa dëmtime të rënda, të cilat e kanë lënë për periudha të gjata jashtë fushës. Gjatë këtij sezoni, ai ka luajtur vetëm një ndeshje.
Me Real Madridin, pavarësisht problemeve fizike, Militao ka fituar tre tituj të La Ligës, dy trofe të Ligës së Kampionëve, një Kupë të Mbretit dhe një Kupë të Botës për Klube.
Burimi: www.albeu.com