Kalo te përmbajtja

Lajme të shpejta, të verifikuara dhe të paanshme

Lajm i fundit
Politikë

Hasani: Shqiptarët të kërkojnë hetim për pasivizimin e adresave

Koalicioni Shqiptar në zgjedhjet e parakohshme parlamentare në Serbi fitoi 27 mijë e 607 vota dhe siguroi dy vende në parlament. Ky rezultat u arrit pas bashkimit të tetë subjekteve politike shqiptare në një listë të përbashkët dhe solli përsëri në qendër të vëmendjes çështjen e përfaqësimit të shqiptarëve të Luginës së Preshevës në institucionet serbe.

Ndërkohë, fitorja e Listës Studentore dhe ndryshimet që priten në politikën e Serbisë kanë krijuar një situatë të re, e cila mund të shërbejë si mundësi për përparimin e të drejtave të pakicave kombëtare. Megjithatë, ende nuk dihet nëse Beogradi do të ndryshojë qasjen ndaj shqiptarëve dhe problemeve të tyre të vazhdueshme.

Profesori dhe njohësi i çështjeve të Luginës së Preshevës, Refik Hasani, e vlerëson të rëndësishëm bashkimin e tetë subjekteve shqiptare dhe marrjen e dy mandateve. Sipas tij, megjithatë, potenciali i plotë elektoral i shqiptarëve nuk është shfrytëzuar.

Hasani thekson se pasivizimi i adresave ka ndikuar drejtpërdrejt në uljen e numrit të votuesve shqiptarë dhe ka kufizuar mundësinë për marrjen e mandateve të tjera. Ai kërkon që ndryshimet politike në Serbi të përdoren për hetimin e kësaj dukurie dhe për rikthimin e të drejtave të qytetarëve të prekur.

“Rezultati i Koalicionit Shqiptar në zgjedhjet e parakohshme të 25 tetorit të këtij muaji në Serbi përbën një rezultat, por jo të pritshëm, pasi në legjislaturën që shkoi në Parlamentin e Serbisë, shqiptarët u përfaqësuan vetëm me një mandat deputeti. Në këto zgjedhje, tetë subjekte politike të shqiptarëve në Krahinën e Preshevës, Medvegjës dhe Bujanocit arritën një marrëveshje për të garuar me një listë të përbashkët dhe siguruan dy mandate deputetësh.

Ajo që është historike, për herë të parë pas Referendumit të 1-2 marsit 1992, kryengritjes së armatosur përmes UÇPMB-së dhe Marrëveshjes së Konçulit, është se kësaj liste të përbashkët iu bashkua edhe një kandidate shqiptare nga Novi Pazari. Kjo është shumë me rëndësi, pasi Koalicioni Shqiptar u mbështet me votë edhe në Krahinën e Sanxhakut, sipas rezultateve preliminare të publikuara nga Komisioni Republikan i Zgjedhjeve”, shprehet Hasani.

Sipas tij, marrëveshja mes subjekteve shqiptare ishte një hap i dobishëm, por pjesëmarrja e votuesve nuk arriti nivelin e nevojshëm. Ai thotë se shifra prej 27 mijë e 607 votash nuk përfaqëson numrin real të shqiptarëve me të drejtë vote në Luginën e Preshevës.

“Po, pajtohem se është një rezultat fillimisht i suksesshëm që tetë subjekte politike të shqiptarëve në Krahinën e Preshevës, Medvegjës dhe Bujanocit arritën një marrëveshje për të garuar me një listë të përbashkët. Megjithatë, subjektet politike të shqiptarëve në këtë Krahinë nuk arritën sa duhet t’i mobilizojnë votuesit që të dalin në zgjedhje.

Nuk jam në dijeni saktësisht se sa për qind kanë votuar, por ky rajon ka më shumë shqiptarë me të drejtë vote sesa numri i 27 mijë e 607 votave të fituara. Mendoj se rreth gjysma e shqiptarëve me të drejtë vote kanë marrë pjesë në zgjedhje, ndërsa Komisioni Republikan i Zgjedhjeve në nivel të Serbisë publikon se mbi 65 për qind e qytetarëve me të drejtë vote kanë votuar. Për të pasur suksesin më të lartë, shqiptarët duhet të mobilizohen dhe të dalin në votime mbi 80 për qind e qytetarëve shqiptarë me të drejtë vote”, deklaron ai.

Hasani kujton se në zgjedhjet parlamentare të vitit 2020, shqiptarët e Luginës, duke garuar përmes një liste të përbashkët, fituan tri mandate deputetësh. Ai vlerëson se në zgjedhjet e fundit mund të siguroheshin deri në pesë mandate, por kjo mundësi është dëmtuar edhe nga pasivizimi i adresave.

“Në vitin 2020, shqiptarët e kësaj Krahine, në zgjedhjet për Parlamentin e Serbisë, përmes një liste të përbashkët, morën tri mandate deputetësh. Në zgjedhjet e parakohshme të 25 tetorit të këtij muaji në Serbi, është dashur të merrnim pesë mandate. Por, në këto zgjedhje, pasivizimi i adresave ka ndikuar në humbjen e mundësisë për të fituar së paku edhe dy mandate shtesë.

Qytetarët shqiptarë po përballen, përveç të tjerash, edhe me pasivizimin e adresave, ku janë hequr votues me të drejtë vote edhe nga regjistrat e votuesve. Kjo ka ndikuar në numrin e votave të mundshme për listën shqiptare, veçmas kur dihet mirëfilli se rreth 85 për qind e shqiptarëve në Medvegjë rezultojnë të pasivizuar, kurse në Zarbicë dhe Muhoc të Bujanocit kjo përqindje raportohet të jetë mbi 80 për qind”, thekson Hasani.

Ndryshimet në Serbi mund të hapin rrugë për të drejtat e shqiptarëve

Duke analizuar fitoren e Listës Studentore, Hasani thotë se në Serbi është krijuar një realitet i ri politik, i cili mund të ketë ndikim edhe te mënyra e përfaqësimit të pakicave kombëtare në institucionet e vendit.

Ai vlerëson se dobësimi i Aleksandar Vuçiqit dhe mundësia që Lista Studentore të krijojë institucione të reja u japin shqiptarëve një moment të përshtatshëm për të kërkuar barazi më të madhe dhe përfaqësim më të fortë institucional.

“Ky rezultat do të ndikojë në përfaqësimin proporcional të tyre institucional, si në nivelin lokal, ashtu edhe në atë qendror. Mbi të gjitha, në këto zgjedhje parlamentare është krijuar një rrethanë e re politike dhe kjo do të manifestohet edhe në Parlament, Qeveri e Presidencë, sepse Aleksandar Vuçiqi ka pësuar humbje të thellë dhe do të mbetet në opozitë, pasi për më shumë se një dekadë e gjysmë ishte në pushtet dhe kontrollonte të gjitha instancat në Serbi.

Lista e studentëve ka arritur të marrë më shumë se 52 për qind dhe e ka të drejtën kushtetuese të formojë institucionet e reja pa asnjë koalicion. Kjo, sipas meje, paraqet një forcim të opozitës dhe të gjithë pakicave që jetojnë në Serbi”, shprehet ai.

Për këtë arsye, Hasani propozon që dy deputetët shqiptarë të bashkërendojnë veprimet me përfaqësuesit e pakicave të tjera, përfshirë hungarezët, boshnjakët dhe bullgarët. Ai sugjeron krijimin e një grupi të përbashkët parlamentar, i cili do t’u mundësonte pakicave të artikulonin më fuqishëm kërkesat e tyre dhe të ushtronin më shumë presion ndaj institucioneve.

“Deputetët e kësaj legjislature, hungarezë, shqiptarë, boshnjakë e bullgarë, duhet të formojnë një grup të përbashkët parlamentar dhe, nëse u afrohet oferta për koalicion, do të duhej ta pranonin me kushtin që të realizohen të drejtat e plota të pakicave, në përputhje me aktet dhe konventat ndërkombëtare.

Të gjithë deputetët joserbë, ky është momenti i fundit që të iniciojnë kërkesën për përfaqësim me vende të rezervuara në Parlamentin e Serbisë”, deklaron Hasani.

Dy deputetët shqiptarë duhet të kërkojnë hetim për pasivizimin

Profesori Hasani kërkon që dy deputetët shqiptarë të përdorin të gjitha mundësitë parlamentare për trajtimin e çështjeve që lidhen me komunitetin shqiptar në Serbi. Ndër prioritetet e tij ai rendit interpelancat ndaj zyrtarëve të lartë dhe ngritjen e një komisioni parlamentar për hetimin e pasivizimit të adresave.

Ai beson se një bashkëpunim me deputetët e pakicave të tjera do t’u jepte shqiptarëve më shumë peshë në kërkesat për llogaridhënie dhe do të ndihmonte në rikthimin e të drejtave të qytetarëve që janë prekur nga pasivizimi.

“Fitorja e listës së studentëve në Serbi, ashtu siç e ceka, ka krijuar një rrethanë të re politike dhe mendoj se ajo është e favorshme. Kjo do të manifestohet në Parlament, Qeveri e Presidencë. Dy deputetët shqiptarë, së bashku, duhet ta lidhin interesin politik me deputetët hungarezë, boshnjakë e bullgarë dhe të formojnë një grup të përbashkët parlamentar.

Ata duhet të kërkojnë interpelancë nga kryeministri, ministrat përkatës, presidenti, por edhe nga instancat më të larta të ushtrisë dhe policisë, për çështje të caktuara me interes të përgjithshëm që cenojnë të drejtat e pakicave.

Është momenti i fundit që të shfrytëzohet kjo mundësi për formimin e një komisioni parlamentar për hetimin e pasivizimit të adresave, në mënyrë që, pas hetimit, të gjithë qytetarëve të cilëve u janë pasivizuar adresat t’u kthehen ato”, përfundon Refik Hasani.

Burimi: www.albeu.com

Të fundit Të gjitha