Kalo te përmbajtja

Lajme të shpejta, të verifikuara dhe të paanshme

Lajm i fundit
Shëndetësi

Spondiliatroza po prek gjithnjë e më shumë të rinjtë, sipas fizioterapistit

Spondiliatroza po prek gjithnjë e më shumë të rinjtë, sipas fizioterapistit
Foto: rtsh.al

Rritja e problemeve në moshat e reja

Problemet e shtyllës kurrizore dhe të qafës po shfaqen gjithnjë e më shpesh edhe te personat e moshave të reja. Qëndrimi ulur për periudha të gjata, puna e vazhdueshme përpara kompjuterit dhe lëvizja e pakët fizike janë disa nga shkaqet kryesore të shqetësimeve në qafë dhe në shpinë.

Fizioterapisti Rudolf Kariqi, i ftuar në emisionin “Mirëmëngjes Shqipëri” të RTSH-së, foli për problemet që takon gjithnjë e më shpesh në praktikën e tij dhe ofroi disa këshilla për parandalimin dhe kujdesin ndaj shtyllës kurrizore.

“Ky është një problem global, jo vetëm te ne. Te vertebrat formohen disa osteofite, që më pas shkaktojnë irritime në qafë, shtrëngime dhe ngurtësi. Sot prekin edhe moshat e reja, për shkak të stilit të jetesës, të ushqimit, të gjumit dhe shumë faktorëve të tjerë”, tha ai.

Sipas fizioterapistit, ka vërejtur një rritje të problemeve të kolonës vertebrale, si dhe të rasteve të skoliozës, përfshirë edhe fëmijët.

Ambienti i punës dhe pozicioni ulur

Kariqi u ndal në mënyrë të veçantë te problemet që lidhen me shtyllën kurrizore në ambientin e punës. Ai theksoi se karrigia duhet të jetë e përshtatur me gjatësinë dhe përmasat e trupit, ndërsa gjatë punës përpara kompjuterit bërrylat duhet të formojnë një kënd prej 90 gradësh dhe shpina të qëndrojë sa më e drejtë.

“Karrigia duhet të jetë e përshtatshme për çdo person, sipas gjatësisë dhe pozicionit të trupit që ai ka. Bërrylat duhet të jenë në kënd 90 gradë, këmbët të mbështeten dhe shpina të qëndrojë e drejtë”, tha ai.

Fizioterapisti shpjegoi se cilësia e gjumit dhe zgjedhja e jastëkut janë faktorë të tjerë me rëndësi. Sipas tij, jastëku nuk duhet të jetë as shumë i lartë, as shumë i ulët, por të përshtatet me nevojat individuale të secilit person.

Në përfundim, ai dha disa këshilla mbi ushqyerjen, duke theksuar rëndësinë e proteinave, peshkut, vezëve dhe perimeve në mbështetjen e shëndetit muskulor.

/rtsh.al/

Burimi: rtsh.al

Të fundit Të gjitha