Letra e Veliajt dhe reagimi i opozitës për drejtësinë
Akuzat e opozitës ndaj SPAK-ut dhe GJKKO-s
Deputeti demokrat Oerd Bylykbashi, gjatë seancës së Komisionit të Ligjeve, tha se pretendimet e Erion Veliajt, sipas të cilave kryeministri Edi Rama e kishte kërcënuar përmes Toni Gogut me 100 vite burg, tregojnë se si kryeministri përdor SPAK-un dhe GJKKO-n për të goditur kundërshtarët politikë.

“Ajo letër i preku si SPAK-un, ashtu edhe GJKKO-n. Ata mund të dalin me deklaratë dhe të thonë që ato që thotë Veliaj janë të pavërteta, por ai nuk ka kuptuar se çfarë do të thotë reforma në drejtësi. Në praktikë, ai dhe ish-shefi i tij e kanë kuptuar drejtësinë sipas mënyrës së tyre. Rezultati është ky: SPAK-u, me urdhër të tij, t’i rrisë akuzat dhe GJKKO-ja ta dërgojë në burg”, tha Bylykbashi.
Bylykbashi e akuzoi SPAK-un për standarde të dyfishta, duke e krahasuar qëndrimin ndaj Veliajt me atë ndaj ish-zëvendëskryeministres Belinda Balluku.
“Këto konkretizohen në ato pak rreshta të ditarit të Veliajt, ku kryeministri del të jetë në gjendje të urdhërojë prokurorinë dhe gjykatën se si të dënojnë kundërshtarët. Për të njëjtën akuzë, njëri qëndron në burg, tjetri jashtë. Zëvendëskryeministrja e akuzuar për korrupsion nuk e ka çuar prokuroria e posaçme. Për mua, kjo është politikë. Do të thotë që SPAK-u po luan një lojë, sepse mund ta kërkonte atë gjë pa e parë fare, ndërsa këtë tjetrin e ka përplasur aty dhe nuk e lë të dalë”, vazhdoi Bylykbashi.
Deputeti demokrat kërkoi largimin e Ramës, formimin e një qeverie kujdestare dhe zgjedhje të parakohshme.
“Këtë e di shumë mirë ai zotëria, kur i ka thënë: ‘Do ma dorëzosh mua Bashkinë e Tiranës apo të të kalb në burg? Edhe akuzat t’i bëj palë’. Rama duhet të japë dorëheqjen, kjo qeveri të largohet dhe të vijë një qeveri kujdestare, me një detyrë të qartë: të marrë masa që shteti të mos e shtrembërojë zgjedhjen. Kuvendi duhet të miratojë një kornizë ligjore kujdestarie që e pengon shtetin të ndërhyjë në zgjedhje dhe garanton kushtet për zgjedhje të lira e të ndershme. Kur këto garantohen, mund të zhvillohen zgjedhje të parakohshme. Largimi i tij është parakusht për këtë”, vazhdoi Bylykbashi.
Përgjigja e Komisionit të Ligjeve
Kryetari i Komisionit të Ligjeve, Ulsi Manja, i hodhi poshtë akuzat për ndërhyrje në drejtësi, duke thënë se mazhoranca i ka hequr duart nga drejtësia që nga viti 2016, me miratimin e reformës.
“Përtej qëndrimeve politike tashmë të njohura të opozitës, kjo nuk është risi e Bylykbashit. Është pjesë e një skenari të përditshëm të opozitës, e cila, në vend që të jetë alternativë qeverisëse, është kthyer në zëdhënëse të aktualitetit politik e shoqëror shqiptar. Por kjo është punë e opozitës. Detyra jonë është të miratojmë buxhetin dhe ligjet që lidhen me integrimin e Shqipërisë në BE. Ne nuk jemi një pushtet që mund të urdhërojë një institucion të pavarur se si të kryejë detyrën e vet. Këtë e kemi zgjedhur në 2016. Në 2016, përfundimisht, kjo tryezë i hoqi duart nga drejtësia”, u përgjigj Manja.
Burimi: shqiptarja.com










