Kalo te përmbajtja

Lajme të shpejta, të verifikuara dhe të paanshme

Lajm i fundit
Kosova

Autoriteti i Konkurrencës akuzon VV-në për mbrojtje të shkelësve të ligjit

Autoriteti i Konkurrencës akuzon VV-në për mbrojtje të shkelësve të ligjit
Foto: pressonline.al

Mungesa e shumicës në komision

Mungesa e deputetëve të shumicës parlamentare ka penguar shqyrtimin e projektligjit për efiçiencën e energjisë dhe raportin për Autoritetin e Konkurrencës në Komisionin për Ekonomi, Industri, Ndërmarrësi, Tregti dhe Inovacion, sipas Ekonomia Online.

Kritikat e PDK-së ndaj shumicës

Lidhur me këtë, deputeti i PDK-së, Mergim Lushtaku, ka akuzuar Lëvizjen Vetëvendosje se po shmang debatin dhe po mbron, siç e quajti ai, persona që kanë shkelur rregullat në Autoritetin e Konkurrencës.

“Duket qartë që këta nuk kanë argumente për t’u përballur, por po zgjedhin një formë tjetër, jo vetëm bojkotin, por edhe mbrojtjen e personave që kanë vepruar keq në Autoritetin e Konkurrencës. Shihet qartë se ka konflikt interesash në këtë drejtim. E kemi parë në mbledhjen e kaluar, ku pati një tension nga anëtarët e VV-së për shtyrjen dhe kundërshtimin e anëtarëve të tjerë të bordit. Ky tension duhet shpjeguar, jo vetëm nga ne, por duhet kërkuar edhe hetim nga institucionet e drejtësisë”, u shpreh ai.

Deputeti i PDK-së tha se kërkojnë edhe ndihmën e qytetarëve për të sqaruar rastet e manipulimit të çmimeve dhe dëmtimit të konsumatorëve, siç pretendon ai.

Ai kritikoi gjithashtu atë që e quajti arrogancë të pushtetit, duke e akuzuar shumicën se po bojkoton punën e Komisionit për të mbrojtur bashkëpartiakët që drejtojnë këtë institucion.

“Kërkojmë publikisht ndihmën e qytetarëve në këtë proces, që mund të na ndihmojë të zbulojmë manipulimet e çmimeve dhe dëmtimin e qytetarëve. Është për t’u keqardhur mendësia e arrogancës së pushtetit dhe deri në çfarë shkalle ka arritur, deri te bojkotimi dhe mbrojtja e bashkëpartiakëve që drejtojnë këtë institucion. Ishte e qartë pamja e tyre, në këtë rast me mungesën e tyre. Kjo nuk do të mbarojë këtu. Do të kërkojmë shkarkimin e anëtarëve të bordit, dhe sigurisht do të kërkojmë ndihmën e qytetarëve për të nxjerrë në pah të vërtetën për ata që mbrojnë shkelësit e ligjeve dhe keqpërdoruesit e detyrës zyrtare”, deklaroi Lushtaku.

Qëndrimi i LDK-së për Autoritetin e Konkurrencës

Edhe deputetja e LDK-së, Janina Ymeri, tha se çështja e Autoritetit të Konkurrencës ka qenë aktive edhe në legjislaturën e kaluar, ndërsa shprehu kënaqësinë që, sipas saj, kësaj çështjeje po i kushtohet tani më shumë vëmendje.

Ymeri akuzoi deputetët e mazhorancës se po shmangin debatin dhe tha se mungesa e tyre po ndikon në mos-adresimin e veprimeve që ajo i konsideroi si jo-ligjore brenda Autoritetit.

“Çështja e Autoritetit të Konkurrencës ka qenë shumë aktive edhe në legjislaturën e kaluar, më vjen mirë që sot i vjen radha. Megjithatë, jam shumë e kënaqur që sot shihet se pushteti, anëtarët e mazhorancës në këtë rast, po shmangin përballjen. Kjo vlen për dy arsye: disa nga aktivitetet që janë kryer brenda Autoritetit, disa prej tyre ndër më të rëndësishmet, janë jo-ligjore, dhe mungesa e deputetëve të VV-së po e fal jo-ligjshmërinë dhe dhunën që është bërë në Autoritet. Dhuna nuk ndodh vetëm në baza gjinore. Po falen aktivitete jo-ligjore dhe kjo po ndodh në dëm të konsumatorëve. VV-ja ka bërë fushatë për konsumatorin, por në fakt punon me një plan që shkon në dëm të interesave të çdo konsumatori, nga produktet bazë deri te nafta dhe produktet e tjera”, deklaroi Ymeri.

Burimi: pressonline.al

Të fundit Të gjitha