Kritikat ndaj Gërvallës dhe Sveçlës
Deputetja e Partisë Demokratike të Kosovës, Eliza Hoxha, i ka drejtuar kritika të shumta ministres së Drejtësisë, Donika Gërvalla, dhe ministrit të Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla. Sipas saj, të dy nuk kanë dhënë dorëheqje pas rastit të vrasjes së Arlinda Zekajt.
Në emisionin “DPT te Fidani” në Klan Kosova, Hoxha tha se Gërvalla dhe Sveçla janë në krye të institucioneve, ku zinxhiri i mbrojtjes për të ndjerën ka dështuar.
“Më vjen keq që dorëheqja në shoqërinë kosovare dhe në jetën publike duket si dorëzim, si akt jo i denjë dhe jo i nevojshëm. Por në fakt, dorëheqja është akt fisnik dhe moral ndaj atyre që kanë besuar dhe votuar. Në dy pozicione, Gërvalla qëndron e heshtur, duke e lënë përgjegjësinë te të tjerët, por jo edhe te vetja, ndërsa mban dy pozicione.”, tha ajo.
Përgjegjësia institucionale dhe morale
Hoxha tha se përgjegjësia nuk është vetëm institucionale, por edhe morale, duke shtuar se edhe nëse ministrat nuk do të jepnin dorëheqje, kryeministri Kurti do të duhej t’i shkarkonte.
“Këtu ka dy lloj përgjegjësie. Ne nuk e kemi parë as përgjegjësinë institucionale, as atë morale. Pa përgjegjësi morale nuk ka as përgjegjësi institucionale. Por, nëse ata nuk japin dorëheqje, kryeministri duhej t’i shkarkonte, sepse disa zinxhirë institucionalë kanë dështuar.”, tha ajo.
Burimi: pressonline.al










