Nga Ylli Pata
Lëvizja e Flamingove nuk është një lëvizje studentore. Ajo nuk lindi nga universitetet apo fakultetet, por nga organizata që kanë lidhje politike të dukshme me qarqe të fuqishme, të cilat e kanë financuar nga jashtë.
Lëvizja në Serbi dhe në Shqipëri
Në Serbi, lëvizja ka qenë studentore, edhe pse ka prodhuar një shumicë qeverisëse në të cilën asnjë student nuk ka vend në Parlament. Ajo filloi në auditoret e universiteteve, ku u zhvillua gjithë aktiviteti politik: kundërshtimi, artikulimi i qëndrimeve dhe organizimi për zgjedhjet.
Në Shqipëri, studentët u futën në lojë pikërisht pas hapjes së universiteteve, por në realitet nuk ekziston një lëvizje studentore. Ekzistojnë studentë që ndjekin grupet politike që veprojnë brenda revolucionit.
Grupet politike e kanë mbushur protestën me njerëzit e tyre, nga PD-ja te të majtët e Qorit dhe partia e Shehajt e Lapajt. Pastaj duhet përmendur edhe përfaqësuesit e rëndësishëm të islamit politik, të cilët janë më të organizuarit.
Një lëvizje studentore lind si organizim që del nga auditoret, ku idetë politike dhe ato sociale rrjedhin në radhë të parë nga katedrat. Kjo nuk ka ndodhur në Shqipëri, edhe pse ka studentë brenda kësaj lëvizjeje.
Ideja e tyre kryesore është largimi i qeverisë dhe lançimi i vetes si alternativë. Është një ide legjitime, por jo e artikuluar politikisht. Ndërkohë, mbetet i pazgjidhur problemi i bashkimit politik të kësaj lëvizjeje, e cila ditët e fundit po kalon një konflikt të fortë.
Konflikti dhe zgjedhjet vendore
Çfarë do të ndodhë në këtë konflikt, që tani ka karakter politik? Të gjithë po përgatiten për t’u artikuluar politikisht, por në fakt e kujtuan këtë me vonesë.
Sipas gjasave, do t’u jetë shumë e vështirë të përgatiten për zgjedhjet vendore të majit.
Meqenëse ndjekin modelin e vjetër të Berishës, fillimisht rrëzojmë Edi Ramën dhe pastaj shohim si e bëjmë. Një lëvizje politike, që në lançim, duhet të përgatisë programin, skenarët dhe mënyrat e realizimit të tyre.
Të paktën në letër, këto duhet t’i bëjë publike, duke ndarë idetë dhe qëndrimet me njerëzit. Ndërkohë, siç pamë në javën e protestës në Tiranë, ata thjesht përkrahën një skenar makabër, që të paktën qytetarëve nuk u ishte thënë.
Ky skenar doli një autogol, një patate e nxehtë që tani secili do ta largojë nga vetja…
Burimi: tirananews.al










