Aleksandar Vuçiç e humbi pushtetin. Tani lind pyetja nëse do të japë llogari edhe për mënyrën se si e ushtroi atë. Pas fitores së Listës Studentore në zgjedhjet e 25 tetorit, Serbia përballet me një sfidë që shkon përtej ndryshimit të Qeverisë: hetimin e korrupsionit, shkëputjen e institucioneve nga ndikimi politik dhe përcaktimin e përgjegjësisë për abuzimet e dyshuara gjatë sundimit të Partisë Përparimtare Serbe (SNS).
Dy analistë në Beograd vlerësojnë se hetimet mund të arrijnë deri te ish-presidenti, por paralajmërojnë se përgjegjësia politike nuk do të thotë domosdoshmërisht edhe përgjegjësi penale.
“Besoj se hetimi duhet të arrijë edhe te Vuçiçi, ashtu si ndodhi në Kroaci me Sanaderin”, thotë Dushan Spasojeviç, profesor në Fakultetin e Shkencave Politike në Beograd, duke iu referuar ish-kryeministrit kroat Ivo Sanader, i dënuar për korrupsion.
Edhe Dragan Popoviç, drejtor i Qendrës për Politikë Praktike, e sheh të vështirë që prokuroria e re të mos e hetojë rolin e Vuçiçit. Megjithatë, ai paralajmëron se akuzat që mund të provohen në gjykatë mund të jenë më të kufizuara nga ato që presin qytetarët.
Në një diskutim për emisionin “Most” të Shërbimit për Ballkanin të Radios Evropa e Lirë, të dy analistët flasin për mundësinë e ndjekjes penale të ish-presidentit serb dhe për sfidat e pushtetit të ri në përballjen me trashëgiminë e regjimit të mëparshëm.
Nga tragjedia në Novi Sad te ndryshimi i pushtetit
Ndryshimi politik në Serbi erdhi pas një vale protestash, të nxitura nga shembja e një strehe betoni në Stacionin Hekurudhor të Novi Sadit më 1 nëntor 2024, ku humbën jetën 16 persona.
Tragjedia, në një objekt të rinovuar, ngriti dyshime për korrupsion, neglizhencë dhe mungesë mbikëqyrjeje në projektet publike. Studentët, që u vunë në krye të protestave, kërkuan publikimin e dokumentacionit të rinovimit dhe përgjegjësi për viktimat. Me kalimin e kohës, kërkesat e tyre u zgjeruan dhe lëvizja u shndërrua në një sfidë të drejtpërdrejtë ndaj pushtetit.
Fitorja e Listës Studentore në zgjedhjet e parakohshme parlamentare shënoi humbjen e pushtetit nga SNS-ja, pas vitesh dominimi në politikën serbe. Ajo solli edhe një zhvillim të pazakontë: një lëvizje pa udhëheqës të vetëm arriti të mposhtë një parti me strukturë të fuqishme dhe ndikim të gjerë institucional.
Sipas Spasojeviçit, studentët zhvilluan një fushatë të mirorganizuar, me kandidatë të përgatitur dhe prani të vazhdueshme në terren, duke arritur një rezultat më të mirë se parashikimet më optimiste. Ai pret që fitorja e tyre të pasohet nga një riorganizim i thellë i skenës politike.
“Na pret gjithsesi një rindërtim i skenës politike, dhe qysh në zgjedhjet e para të ardhshme do të kemi dy milionë votues që do të kërkojnë aktorë të rinj”, thotë Spasojeviç.
Popoviç vlerëson se suksesi i studentëve krijon mundësi për ripërtëritjen e partive politike, të dobësuara si nga “sundimi autokratik” ashtu edhe nga problemet e tyre të brendshme. Ai kujton se shumica e partive opozitare e mbështetën Listën Studentore, ndërsa ato që garuan veçmas nuk arritën të siguronin mbështetje të konsiderueshme. Sipas Popoviçit, fitorja dëshmon edhe refuzimin e një modeli qeverisjeje ku pushteti përqendrohet në duart e një udhëheqësi.
“Në këtë moment, shumica e Serbisë i tha jo sistemit autoritar”, thotë ai.
A ka bazë për ndjekjen penale të Vuçiçit?
Përgjegjësia penale e ish-presidentit
Përgjegjësia e mundshme penale e ish-presidentit serb është ndër çështjet më të ndjeshme të tranzicionit politik. Spasojeviç kujton se Vuçiç ishte paraqitur publikisht si vendimmarrësi kryesor, ndonëse vendimet e tij zbatoheshin nga ministra dhe zyrtarë të tjerë me kompetenca formale.
“Vuçiç e kishte paraqitur veten në publik si aktorin kryesor. Ai jepte urdhra, ndërsa vendimet e tij zbatoheshin nga ministrat, ndihmësit dhe persona të tjerë që kishin kompetenca për ta bërë këtë”, thotë Spasojeviç.
Për këtë arsye, ai pret që hetimet të nisin nga zyrtarët që kishin përgjegjësi të drejtpërdrejtë për zbatimin e vendimeve. Megjithatë, sipas tij, ka bazë për të shqyrtuar edhe rolin e Vuçiçit, veçanërisht në rastin e shembjes së strehës së Stacionit Hekurudhor në Novi Sad.
Spasojeviç thotë se ekzistojnë prova që mund të ndihmojnë në përcaktimin e rolit të ish-presidentit në përshpejtimin e punimeve. Sipas tij, Vuçiç kishte interes t’i përfundonte ato sa më shpejt, për qëllime promovimi politik. Edhe Popoviç pret që roli i Vuçiçit të bëhet objekt hetimi, duke pasur parasysh përqendrimin e pushtetit në duart e tij.
“E kam të vështirë ta imagjinoj që prokuroria e re të mos merret në mënyrë të veçantë me Vuçiçin, si bartësin e gjithë pushtetit në sistemin autokratik piramidal që ai krijoi”, thotë Popoviç.
Por, ai bën dallimin mes dyshimeve për përgjegjësi dhe provave të nevojshme për ngritjen e një aktakuze.
“Pyetja tjetër është për çfarë do të arrijnë të gjejnë prova të mjaftueshme dhe për çfarë do të mund ta akuzojnë. Kjo, me gjas
Burimi: euronews.al










