Partia Demokratike duhet t’i kuptojë së pari protestën dhe vetëm pas kësaj të gjejë një përgjigje ndaj saj, në mënyrë që të lidhet me të dhe që frekuenca e PD-së të jetë e njëjtë me atë të protestës.
Protesta, që filloi në qershor të këtij viti dhe në tetor u kthye në një revoltë rinore e studentore me elemente dhune, duket se ka hyrë në një fazë të re. Ajo është bërë më e qetë, por jo në mënyrën që ishte gjatë verës.
Përditshmëria e saj mbetet, duke u bërë më e gjallë dhe duke marrë gjatë fundjavës një formë më të zhurmshme. Kjo pritet të vazhdojë për sa kohë kjo qeveri qëndron në detyrë. Ky është lajmi kryesor i protestës.
Të shtunën e kaluar, protesta solli edhe një lajm tjetër, që gjithashtu nxiti debat. Partia Demokratike kërkoi të bashkohej me protestën dhe u ballafaqua me protestues që nuk e pranonin praninë e saj.
Partia Demokratike u përgjigj duke thënë se protesta nuk ka pronar dhe se njerëzit e PD-së nuk i duan njerëzit e partisë së Arlind Qorit, etj.
Përplasja e PD-së me protestën është një lajm shumë i rëndësishëm për shoqërinë dhe politikën shqiptare.
Partia Demokratike duhet parë si një forcë e rëndësishme e protestës dhe duhet të pritet e të mirëpritet prej saj, pasi bëhet fjalë për një protestë që në thelb është kundër qeverisë dhe kërkon rrëzimin e saj. Megjithatë, ekziston një problem themelor: pse protesta nuk e pranon PD-në? Hapi i parë që duhet të bëjë PD-ja është të kuptojë thelbin e protestës: çfarë është, çfarë kërkon dhe çfarë përfaqëson.
Natyra e protestës
Protesta ka shumë ngjyra, shumë rryma dhe shumë kërkesa. Në të marrin pjesë shtresa dhe kategori të ndryshme, por ajo që i bashkon të gjitha ngjyrat, rrymat dhe shtresat që nga fillimi është se ajo është kundër establishmentit. Në thelb, protesta është një frymë antiestablishment.
Që nga dita e parë, fryma e protestës artikuloi qartë se ishte kundër mënyrës si qeverisej Shqipëria, kundër klasës politike që kishte qeverisur vendin dhe kundër formimit të një shtrese, ose pothuajse një kaste, politikanësh dhe vendimmarrësish që për vite, madje për dekada, drejtonin qeverinë, parlamentin dhe partitë kryesore të vendit.
Protesta kërkon një përmbysje të plotë të këtij moçali, të kësaj kënete. Ky lloj fryme ishte përbashkëtia e saj. Ky lloj fryme e bëri atë protestën më të madhe dhe më gjithëpërfshirëse të shoqërisë shqiptare. Në qendër të saj ishte rinia. Të gjithë e kujtojnë qershorin dhe bulevardin që gjallonte nga zërat e të rinjve.
Me kalimin e kohës pati, dhe ka edhe më shumë, përpjekje për ta shkëputur këtë frymë, për t’i dhënë protestës një kuptim më të ngushtë, për ta bërë të përfaqësojë diçka më të kufizuar ose për ta dobësuar atë që përfaqëson. Këto përpjekje arritën të zbehin disi zërin e kësaj fryme, por nuk e shuan dot dhe nuk mund ta shuajnë. Ajo nuk shuhet, sepse mban brenda një pjesë dërrmuese të asaj që mendon shoqëria.
Edhe revolta ishte brenda kësaj fryme. Ajo erdhi në një moment kur protesta kishte humbur ritmin dhe fuqinë, por jo frymën. Revolta mund ta humbasë ritmin dhe fuqinë, por jo frymën. Mund të mos pajtohesh me protestën, mund të kesh mendime shumë të ndryshme nga ato që përfaqëson ajo, por nuk mund ta mohosh që kjo frymë ekziston.
Partia Demokratike duhet t’i kuptojë së pari protestën dhe vetëm pas kësaj të gjejë një përgjigje ndaj saj, në mënyrë që të lidhet me të dhe që frekuenca e PD-së të jetë e njëjtë me atë të protestës.
Çfarë duhet të thotë PD-ja
Meqenëse PD-ja pretendon prej disa kohësh se është një forcë konservatore, ajo duhet të flasë dhe të qëndrojë kundër establishmentit.
PD-ja duhet të thotë, ashtu si thonë partitë kundër establishmentit, se do ta thajë kënetën, se do të largojë politikanët që kanë dekada në politikë, se do ta pastrojë politikën nga njerëzit e korruptuar, se do ta çlirojë biznesin nga kontrolli i disa bizneseve të pakta që duket se janë partnerë të vazhdueshëm të qeverive dhe se do ta pastrojë median nga njerëzit që prej 30 vitesh kontrollojnë narrativën dhe u shërbejnë qeverive.
PD-ja duhet të deklarojë se vendi ka nevojë për një mënyrë të re bërjeje politike dhe për një transformim dhe reformim të plotë të klasës politike. Duhet të thotë se është kundër riciklimit të së njëjtës politikë. Vetëm kështu do të lidhet me protestën.
Nëse PD-ja mendon ndryshe, atëherë duhet ta thotë dhe ta bindë shoqërinë se protesta e ka gabim. Nëse mendon ndryshe dhe beson se është opozita e duhur, me idetë dhe njerëzit e duhur për të ndryshuar dhe rregulluar Shqipërinë, atëherë PD-ja duhet të thërrasë vetë një protestë të madhe, në vend që ta zbehë apo dobësojë protestën e rinisë në mënyrë të vetvetishme.
Burimi: shqiptarja.com










