Studiuesi Auron Tare ka ngritur shqetësimin për rënien e mbështetjes ndaj Presidentit amerikan Donald Trump dhe Partisë Republikane, në prag të zgjedhjeve të mesmandatit në Shtetet e Bashkuara. Sondazhet e fundit tregojnë një situatë të vështirë për republikanët, ndërsa Trump rrezikon të regjistrojë nivele historikisht të ulëta të besueshmërisë përpara zgjedhjeve të Kongresit dhe Senatit.
“Presidenti Trump është ndoshta presidenti i parë amerikan me numrin më të ulët të mbështetjes në zgjedhjet e mesmandatit”, deklaroi Tare, duke iu referuar të dhënave të sondazheve të fundit. Sipas studiuesit, sinjale të rëndësishme për ndryshimin e balancave politike vijnë edhe nga disa shtete tradicionalisht republikane. Ai përmendi Kansasin dhe Teksasin si dy prej zonave ku demokratët mund të shënojnë fitore, ndërsa vëmendje të veçantë po merr edhe gara në Michigan.
Zhgënjimi i votuesve të 2024-ës
Tare theksoi se një pjesë e rëndësishme e elektoratit që e mbështeti Trumpin në zgjedhjet e dy viteve më parë duket se është zhgënjyer nga performanca e tij në Shtëpinë e Bardhë. Pakënaqësia, sipas tij, është e ndjeshme edhe brenda bazës MAGA, e cila kishte pritshmëri të larta nga premtimet elektorale të presidentit.
Çështjet që kanë ndikuar
Mes çështjeve që kanë ndikuar në këtë zhgënjim, Tare renditi mosbërjen publike të dosjeve Epstein, angazhimet ushtarake jashtë vendit, inflacionin dhe premtimin për t’i dhënë fund luftës në Ukrainë. “Shumë njerëz që kanë votuar për Trump para dy vitesh janë shumë të zhgënjyer, sidomos baza e tij MAGA”, u shpreh ai, duke shtuar se mospërmbushja e pritshmërive për çështje madhore mund të ndikojë drejtpërdrejt në sjelljen e votuesve.
Burimi: kohajone.com










