Kalo te përmbajtja

Lajme të shpejta, të verifikuara dhe të paanshme

Lajm i fundit
Kosova

Kurti njofton identifikimin e tre intelektualëve të zhdukur

Kurti njofton identifikimin e tre intelektualëve të zhdukur
Foto: euronews.al

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka bërë të ditur se janë identifikuar edhe tre persona nga mbetjet mortore të zhvarrosura në Kalludër dhe Jabukë.

Përmes një postimi, Kurti ka njoftuar se Komisioni Qeveritar për Persona të Zhdukur ka pranuar raporte të reja të ADN-së, mbi bazën e të cilave janë identifikuar Adem (Fazli) Ademi, Fatmir (Bajram) Fazliu dhe Ali (Islam) Haliti.

Sipas Kurtit, të tre ishin pjesë e Grupit të Intelektualëve dhe veprimtarë të çështjes kombëtare.

Ai ka bërë të ditur se Komisioni, së bashku me institucionet përkatëse, tashmë i ka informuar familjet e tyre.

Kurti ka shkruar se tre intelektualët u rrëmbyen nga forcat e armatosura serbe në prillin e vitit 1999 dhe u zhdukën me dhunë.

Ai u ka shprehur ngushëllime familjeve, duke theksuar se zbardhja e fatit të personave të zhdukur me dhunë mbetet prioritet i Qeverisë së Kosovës, krahas kërkesës për drejtësi për krimet e kryera gjatë luftës.

Në Kosovë janë vrarë rreth 13 mijë civilë dhe mbi 1 mijë e 600 persona vazhdojnë të jenë të zhdukur, ndërsa shteti serb refuzon të kërkojë falje, madje mbron kriminelët që sot e kësaj dite shëtisin të lirë apo mbajnë poste të larta në Serbi.

Burimi: euronews.al

Të fundit Të gjitha