Në Luzin e Vogël të Kavajës, aty ku toka bujqësore shtrihet mes gjelbërimit dhe ajrit të kripur që vjen nga bregdeti i Adriatikut, vjeshta ka një tjetër ngjyrë. Është ngjyra e kuqe e shegëve që rëndojnë mbi degë. Këtu është ngritur një nga parcelat më të mëdha të zonës, me më shumë se 20 hektarë të mbjella me shegë.
Një kthim nga emigracioni
Pas këtij investimi është Fesim Çeltahiri, i cili pas viteve të emigracionit në Itali vendosi të kthehej në vendlindje dhe paratë e fituara me punë t’i investonte në tokën e tij. Sot, krahas shegëve të varieteteve të ndryshme, me origjinë izraelite, në këtë sipërfaqe gjenden edhe kultura të tjera që plotësojnë një aktivitet bujqësor të ndërtuar me vite.
“Vjeshta njihet për ngjyrat e ndryshme, por edhe për bollëkun e frutave që sjell në tavolinat tona. Mes tyre është edhe shega, një frut i vlerësuar për përmbajtjen e lartë të përbërësve ushqyes dhe antioksidues, që përveç shijes dhe përdorimit të saj në kuzhinë, lidhet edhe me një sërë përfitimesh për organizmin, veçanërisht në kuadër të një ushqyerjeje të shëndetshme”
Mes pemëve gjejmë Durim Qoshjen, një fermer që prej shtatë vitesh e ka lidhur jetën e tij të përditshme me këtë plantacion. Edhe historia e tij nis larg kësaj toke. Pas disa vitesh emigrim, u kthye në Shqipëri dhe zgjodhi që eksperiencën, punën dhe kohën e tij t’i investonte në bujqësi.
Varietete të reja dhe cilësia e frutit
Në vend, gjithnjë e më shumë po futen edhe varietete të shegës me origjinë izraelite, të cilat fermerët i shohin si një mundësi për të diversifikuar prodhimin. Por në këtë parcelë, mes varieteteve tashmë të njohura, zbulojmë edhe një shegë që tërheq vëmendjen që në pamje të parë: shegë në ngjyrë vjollcë. Edhe pse ndodhet në fazë eksperimentale për fermerin, ai thotë se ka vlera të jashtëzakonshme ushqyese, sidomos për fëmijët.
Shega nuk ka një sinjal të vetëm që i tregon fermerit se është gati. Ngjyra, forma, fortësia e frutit dhe eksperienca e atij që punon me të bëhen bashkë për të përcaktuar momentin kur ajo duhet të mblidhet, në mënyrë që të ruajë cilësinë dhe të jetë sa më e përshtatshme për treg.
Disa kokrra dëmtohen, disa nuk arrijnë madhësinë e kërkuar, ndërsa të tjera mund të kenë probleme në zhvillim, veçanërisht kur mungesa e ujit ndikon në formimin e frutit. Për fermerin, çdo kokërr që nuk shitet do të thotë një pjesë e prodhimit që rrezikon të shkojë dëm.
Dhe pikërisht këtu shfaqet një prej shqetësimeve kryesore të fermerëve: mungesa e një fabrike për përpunimin e shegës, e cila do t’u jepte mundësi që edhe fruti që nuk plotëson standardin e tregut të freskët të kthehej në një produkt tjetër.
Tregu dhe puna e vjeljes
Por përpara se të flasim për atë që mbetet pa u shitur, është tregu ai që vazhdon të mbajë gjallë këtë aktivitet. Sipas fermerit, kërkesa për shegën ekziston dhe një pjesë e prodhimit preferohet edhe në tregjet e vendeve të Bashkimit Evropian.
Në ditët e vjeljes, puna është intensive. Në varësi të prodhimit dhe organizimit, në një ditë mund të mblidhen deri në rreth 1 mijë arka, një sasi që tregon jo vetëm potencialin e parcelës, por edhe nevojën për më shumë duar pune gjatë këtij sezoni.
Krahas Durimit, në këtë plantacion është edhe Edmond Peza, i cili merret më shumë me kujdesin ndaj bimëve, mirëmbajtjen e tyre dhe mënyrën se si duhet mbrojtur prodhimi gjatë gjithë ciklit të kultivimit.
Historia e tij me tokën, ashtu si ajo e Durimit, ka nisur larg Shqipërisë. Pas emigrimit, Edmondi u kthye në vend dhe sot punon në këtë plantacion. Për të, bujqësia është një punë që kërkon shumë, por që mund të japë edhe kënaqësinë e të punuarit në tokën tënde.
Shqetësimi i tij tashmë lidhet edhe me të ardhmen. Ai thotë se gjithnjë e më pak të rinj duan të merren me bujqësi dhe se një nga sfidat më të mëdha është që kjo punë të mos mbetet vetëm te brezi që sot është pas pemëve.
Nga pema te lëngu
Por në këtë parcelë, rruga e shegës nuk përfundon gjithmonë në arkë.
Një pjesë e frutit që shkon në treg për konsum të freskët, një pjesë tjetër përdoret për prodhimin e lëngut të shegës. Është një mënyrë për t’i dhënë një vlerë tjetër prodhimit dhe, në të njëjtën kohë, për të shfrytëzuar edhe një pjesë të frutave që nuk do të kishin të njëjtën vlerë në tregun e shegës së freskët.
Këtu ndryshon edhe ritmi i punës. Nga pemët e plantacionit, shega kalon në një tjetër fazë, atë të përpunimit, ku kokrrat shtrydhen dhe kthehen në lëng.
Në një vit të mbarë, fermerët thonë se mund të prodhojnë deri në rreth 5 mijë litra lëng shege. Një pjesë përdoret për konsum familjar, ndërsa pjesa tjetër shitet, duke krijuar një tjetër burim të ardhurash nga i njëjti prodhim.
Një litër lëng mund të shitet deri në 14 euro, ndërsa vetëm për procesin e shtrydhjes dhe përpunimit angazhohen pesë persona.
Burimi: abcnews.al










